Pedofilia; Kërkohet për të dëshmuar, nuk gjendet në shtëpinë e fëmijës
Një fëmijë, i cili ka jetuar në qendrën “Fëmijët e tij”, është zhdukur pa gjurmë. Por jo vetëm kaq, edhe një prej të dënuarve nga Gjykata e Tiranës për moskallëzim krimi, pasi ka pasur dijeni të plotë për abuzimet në qendër, nuk është gjendur në adresën e kërkuar nga gjykata. Këtë fakt e ka bërë të ditur dje trupi gjykues gjatë procesit gjyqësor, i cili nuk ka arritur të njoftojë dëshmitarët. Një nga dëshmitarët, të cilët duhet që të jepnin deklarime gjatë procesit të djeshëm gjyqësor, ka qenë edhe dëshmitari Flamur K. Ai mësohet se ka jetuar për një periudhë të gjatë kohore në fondacionin e drejtuar prej David Braun, i dënuar nga gjykata dhe dy të pandehurve Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. I mituri është thirrur dhe si dëshmitar në procesin në ngarkim të dy anglezëve të akuzuar për “marrëdhënie homoseksuale me të mitur”, por nuk është arritur të gjendet asnjë adresë e tij. Mësohet se fëmija është një prej të abuzuarve në qendër, si dhe dëshmitar kyç në proces. Trupi gjykues i kryesuar nga ana e gjyqtares Shefkie Demiraj, ka sqaruar se nuk dihet asnjë adresë e fëmijës dhe që prej ditës kur është mbyllur fondacioni nuk ka asgjë dijeni se ku ndodhej ai. Mësohet se ai ka jetuar për pak kohë në një shtëpi fëmijësh, por më pas është larguar prej saj tek të afërmit e tij. Mosparaqitja e dëshmitarit ka bërë që procesi gjyqësor në ngarkim të dy të pandehurve të shtyhet. Ndërsa gjykata do të përpiqet që të gjejë adresat e dëshmitarëve, në mënyrë të tillë që këta të fundit të dëshmojnë kundër dy të pandehurve.