Moti i keq; Probleme dhe përmbytje në vend, paralizohet puna në porte
Moti i keq dhe reshjet kanë shkaktuar probleme në rrethet e ndryshme të vendit. Si pasojë e shirave janë shkaktuar vështirësi në rrugët e Tiranës. Kështu, qindra banorë në bllokun e pallateve “Irfan Tomini”, e kanë pasur të vështirë të dalin nga apartamentet e tyre, për shkak të bllokimit të pusetave të ujërave kulluese dhe ujërave të zeza. Hyrjet e pallateve janë mbuluar nga mbi 30 cm ujë dhe fëmijët e të moshuarit nuk kanë mundur të dalin nga shtëpitë e tyre. Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut do të vazhdojnë deri ditën e enjte, ndërkohë që priten ulje të temperaturave me 2 deri në 3 gradë celsius. Gjithashtu, reshjet e shumta të rëna kanë sjellë problemin periodik të përmbytjes në rrethin e Lezhës. Dje u përmbytën fusha e Torrovicës, fusha e fshatit Koterr dhe disa rrugë rurale janë të palakueshme. Në Komunën e Dajçit, rruga rurale në fshatin Dragushë është e pakalueshme rreth 500-600 m. Po kështu, në Komunën Shëngjin, zona e Kunes është përmbytur si rezultat i bllokimit të kanaleve kulluese. Ndërkohë për sa u përket shtëpive, mësohet se ajo gjenden tashmë nën pushtetin e ujit dhe banorët po përpiqen t’i pastrojnë me mjete rrethanore. Problem mbeten fshatrat Koterr, Grashe, Balldre dhe Torrovicë. Ndërkohë në Laç mësohet se është i bllokuar aksi i vjetër i rrugës Laç-Fushë Krujë, në vendin e quajtur fshati Gjorem. Po në rrethin e laçit bëhet e ditur se komuna Fushë-Kuqe është përmbytur nga uji i shumtë. Ndërkohë si pasojë e motit të keq janë pezulluar lundrimet edhe në portet kryesore të vendit.