E Diel, 1 Nëntor 2026

Pala shqiptare, gjykatësve londinezë: Provat që është Ilir Kumbaro



Përfaqësuesit e palës shqiptare mbërthejnë me prova Ilir Kumbaron. Gjithçka ndodhi gjatë seancës së ekstradimit, e zhvilluar dje në Gjykatën e Londrës. Bëhet fjalë për katër prova të pakundërshtueshme, të cilat vërtetojnë se personi që kërkohet nga pala shqiptare është Ilir Kumbaro, ish-zyrtar i SHIK-ut dhe i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ndonëse në momentin e arrestimit ky shtetas ka dhënë të tjera identitete, pala shqiptare ka mundur të vërtetojë për gjyqtarët londinezë se ky shtetas i arrestuar është Ilir Kumbaro dhe jo Shaqa Shatri nga Kosova. Për të vërtetuar thëniet e tyre, përfaqësuesit e palës shqiptare sollën fakte se shtetasi me këtë identitet, Shaqa Shatri, jeton ende në Kosovë dhe nuk është personi që gjendej në Angli me një pasaportë ish-jugosllave dhe që ka deklaruar se e ka origjinën nga Kosova. Pra, sipas palës shqiptare, vërtetohet se është Ilir Kumbaro, personi i kërkuar prej tyre. Për këtë arsye, Ilir Kumbaros i është ngritur një akuzë, ajo e përvetësimit të identitetit. Një tjetër argument i fortë është një leje drejtimi automjeti në emrin e Indrit Kumbaros, e cila është gjetur në banesën e këtij shtetasi. Pala shqiptare i vërtetoi gjykatësve londinezë se Indrit Kumbaro është djali i Ilir Kumbaros, madje duke paraqitur dokumente nga Shqipëria që e provojnë këtë fakt. Në vijim të ndryshimeve në identitet, është verifikuar se edhe vëllai i Kumbaros, i quajtur Dashamir Kumbaro, është paraqitur pranë autoriteteve britanike për të kërkuar azil me emrin Dashamir Shatri. Këto kanë qenë disa nga provat e pakundërshtueshme të palës shqiptare, të cilat kanë gjetur krejtësisht të papërgatitur avokatët e Kumbaros. Gjyqi për ekstradimin ka filluar disa muaj më parë, ndërkohë që një sërë seancash janë shtyrë vetëm për paraqitjen e dokumentacionit që vërteton se ky shtetas është Ilir Kumbaro dhe jo personi që ai pretendon se është. Drejtësia shqiptare u ka vënë në dispozicion autoriteteve një dosje me akuzat për Kumbaron dhe tashmë dhe provat që disponojnë për të vërtetuar se bëhet fjalë për shtetasin që kërkojnë.

Provat

Vërtetimi që Ilir Kumbaro nuk është Shaqa Shatri, siç pretendon, duke sjellë prova se në Kosovë jeton një person me këtë identitet

Leja e drejtimit e gjetur në banesë në emrin e Indrit Kumbaros. U sollën dokumente që provuan se Indrit Kumbaro është djali i Ilir Kumbaros

Aplikimi për azil në Londër i vëllait të Kumbaros, Dashamirit, edhe ky me identitet si kosovar, si Dashamir Shatri

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›