E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peja në festë

Pas gjashtë vjetësh, trofeu i Kupës së Kosovës ka ndërruar adresë. Ai do të shkojë në Pejë, pasi verdh e zinjtë i dhanë fund dominimit të Sigal Prishtinës, të cilën e mposhtën me plot meritë mbrëmë në finale me rezultat 98:84. Nga Moral Pozhegu më 08 maj 2011 në ora 22:38

Peja është fituese e Kupës së Kosovës pasi në finale e mundi me plot meritë Sigal Prishtinën me rezultat 98:84. Të udhëhequr nga amerikanët Damarius Bolds e Justin Dobbins, por edhe nga super Samir Shaptahoviç, verdh e zinjtë e kanë thënë fjalën kryesore në parket, në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Në një atmosferë fantastike të krijuar nga ‘Plisat’ në njërën anë dhe nga ‘Shqiponjat’ në anën tjetër, pejanët kanë avancuar që nga fillimi e deri në fund, duke mos i dhënë rast bardh e kaltërve, të cilët e fitonin këtë trofe gjashtë herë rresht, që të bëjnë kthesë.

“Është kënaqësi ta shohësh një ndeshje të tillë. Në një takim si ky shihet se ka ngritje të cilësisë, e kjo mund të na ndihmojë përpara faktorit ndërkombëtar. Uroj lojtarët e Prishtinës për lojën që bënë. Lojtarët e mi e dhanë 100 për qindëshin dhe ishin në formë të mirë. Peja gjithmonë ka mentalitet fituesi”, tha pas ndeshjes trajneri i Pejës, Bujar Loci.

Çereku i parë ka qenë paksa më i baraspeshuar, por gjithnjë në shenjë të pejanëve. 10 minutëshi i parë përfundoi 26:20 në të mirë të ekipit të Bujar Locit, i cili luajti në cilësinë e vendësit.

Edhe në periudhën e dytë pejanët ishin më të saktë dhe më këmbëngulës. Ata e mbyllën këtë çerek po ashtu në të mirë të tyre, 26:19, për të shkuar në ‘pushim të gjatë’ me 13 pikë përpara, 52:39.

Kampioni aktual i Kosovës është zgjuar nga gjumi në çerekun e tretë. Të prirë nga amerikani Thimothy Burnette, prishtinasit kanë shkuar me një seri prej 16:2, për ta shkrirë avantazhin e pejanëve në vetëm një pikë, 56:55.

Por, duket se kjo ishte e tëra që mundën të bënin ata mbrëmë. Në vazhdim, çdo gjë ka folur në të mirë të Pejës, e cila gradualisht e ka rikthyer epërsinë e mëparshme, por edhe e ka kaluar atë. Për një moment, epërsia e basketbollistëve nga Rrafshi i Dukagjinit ka shkuar në +15 pikë (91:76).

“Peja fitoi me meritë, luajti më mirë se ne. Neve na mungoi disiplina dhe koncentrimi, të cilat funksionuan mjaft mirë ndaj Bambit. Thjeshtë, nuk e kishim ditën tonë. Pejës ia uroj fitoren, ndërsa ne do të fillojmë të mendojmë për play-off. Jeta vazhdon...”, tha trajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi.

Pejanët e kanë menaxhuar kapitalin që kishin krijuar më parë me mjeshtri, ndërsa prishtinasit u dorëzuan totalisht në minutat e fundit. Më të dalluarit në radhët e Pejës ishin Samir Shaptahoviç (29), Damarius Bolds (27) e Justin Dobbins (13), kurse tek prishtinasit u shquan Blerim Mazreku (26) e Granit Rugova (19).

Kupën kapitenit Valdet Grapci ia dorëzoi ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Kështu, Peja i dha fund dominimit të Sigal Prishtinës viteve të fundit në Kupën e Kosovës.

Penza fiton Kupën tek femrat
Klubi i basketbollit Penza është fitues i Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave. Vashat pejane ishin më të mira se koleget nga Prizreni – Bashkimi, të cilat i mposhtën me rezultat 68:65. Te Penza, më e mira ishte Valbona Bytyqi me 21 pikë të realizuara, kurse tek Bashkimi u shqua Elinda Musliu, që shënoi 21 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›