E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina e Hysi të pagabueshëm

Nga Express më 08 maj 2011 në ora 22:00

Dy pretendentët për titull, Prishtina e Hysi, nuk kanë lejuar befasi. Bardhekaltrit e kanë shkelur Vëllaznimin duke e mposhtur 5:0, ndërsa bardhezinjtë e kanë mundur Ferizajn 3:0. Flamurtari ka marrë një pikë të artë në Mitrovicë.

Prishtina - Vëllaznimin 5:0

Prishtina e ka ruajtur pozitën e parë në tabelë, pasi të dielën e ka mposhtur Vëllaznimin me rezultat të thellë, 5:0, në kuadër të xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës.

Bardhekaltrit kanë dominuar plotësisht në përballje me kuqezinjtë, të cilët i mposhtën më me lehtësi sesa që është pritur. Vendasit kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 17-të, me golin që e ka shënuar Shemsi Osmani.

Suad Saliagiq në minutën e 26-të e dyfishoi epërsinë e prishtinasve në 2:0. Me këtë rezultat edhe ka përfunduar pjesa e parë, derisa në pjesëlojën e dytë, kryeqytetasit i shënuan edhe tre gola të tjerë.

Fillimisht, Azem Ahmeti shënoi nga pika e bardhë në minutën e 77-të për rezultat 3:0, derisa dy minuta më vonë, Faton Zejnullahu i ndryshoi shifrat në 4:0. Kurse, kësaj fitoreje bindëse të prishtinasve kapak i vuri Behar Maliqi, i cili shënoi në çastet e fundit të ndeshjes për rezultat përfundimtar, 5:0.

Duhet cekur se Vëllaznimi prej minutës së 60–të ka luajtur me një lojtar më pak, pasi gjyqtari nga loja e kishte përjashtuar Jasiqin. Kjo disfatë mund t’i kushtojë shtrenjtë Vëllaznimit, të cilit tani iu kanë vështirësuar akoma më shumë punët në luftë për mbijetesë.

Hysi – Ferizaj3:0

Hysi vazhdon ta presë një gabim të Prishtinës për t’ia rrëmbyer pozitën e parë në tabelë. Bardhezinjtë mirë e shfrytëzuan përparësinë e terrenit duke e mposhtur Ferizajn me rezultat bindës, 3:0.

Ferizajasit u mbrojtën mirë deri në minutën e 76-të, kur Hysi mezi ia doli t’i shpartallojë nëpërmjet Kastriot Rexhës, i cili shënoi gol për rezultat 1:0.

Ky gol demoralizoi mysafirët, pasi katër minuta më vonë, bardhezinjtë shënuan edhe një herë për rezultat 2:0, me golin e Yll Hoxhës. Hysi nuk e la me kaq, pasi në vazhdim të ndeshjes, ky ekip shënoi edhe një herë për rezultat 3:0. Realizues sërish ishte Kastriot Rexha.

Në këtë mënyrë, Hysi mbetet në pozitën e dytë të tabelës, me vetëm një pikë më pak sesa lideri, Prishtina. Kurse, Ferizajn kjo humbje e ka dërguar një hap mbrapa në luftë për mbijetesë.

Trepça ’89 – Flamurtari0:0

Humbjen e Ferizajt dhe Vëllaznimit mirë e ka shfrytëzuar skuadra tjetër mjaft e rrezikuar, Flamurtari. Kuqezinjtë nga Prishtina kanë luajtur baras në Mitrovicë në duel me Trepçën ’89, takim ky që ka përfunduar me rezultat 0:0.

Me këtë pikë të fituar, kryeqytetasit janë ngjitur në vendin e 10-të të tabelës, pozitë kjo që çon në ndeshje barazhi, duke e lënë pas vetes Vëllaznimin dhe Ferizajn.

Sa i përket ndeshjes, të dyja ekipet i kanë pasur disa raste të mira shënimi, por që nuk i kanë shfrytëzuar, ndonëse Trepça ’89 ka dominuar më tepër, derisa mysafirët kryesisht mbronin rezultatin e barabartë.

Tabela
1. Prishtina-58
2. Hysi-57
3. Liria-40
4. KEK-u-40
5. Besa-39
6. Trepça-38
7. Trepça ’89-36
8. Drenica-34
9. Ballkani-32
10. Flamurtari-27
11. Vëllaznimi -26
12. Ferizaj-24

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›