Reja: “Futbolli shqiptar është rritur shumë”
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis dhe trajneri i Napolit, Edi Reja nuk janë shprehur plotësisht i kënaqur me shortin kundër Vllaznisë në deklarimet e tyre për mediat italiane. “Jam mesatarisht i kënaqur. Ne letër duket short i mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm e të ulim vështrimin. Në fushën europiane nuk është kurrë asgjë e sigurt e shorteu duhet verifikuar në fushë”, - tha presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, për mediat italiane pas hedhjes së shortit kundër skuadrës shqitpare të Vllaznisë. “Ata kanë një stadium prej 15 mijë vendesh, që sigurisht do të jetë i mbushur plotësisht, - tha producenti kinematografik, - kështu që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë në shtëpinë e tyre, duke përfshirë edhe atmosferën”. Në të njëjtat tone ishte edhe deklarata e trajnerit Edi Reja: “Futbolli shqiptar është rritur shumë në këto vite dhe për këtë duhet të jemi të kujdesshëm. Sigurisht, është e panevojshme ta fshehim se mund të jetë një skuadër e përballueshme, por për këtë arsye, është rasti të pohoj se duhet ta heqim optimizmin e tepërt”.
“Napoli, çfarë fati: peshkojnë shqiptarët”. Ky ishte titulli i gazetës italiane “Corriere del Mezzogiorno” pas hedhjes së shortit të turit të dytë të Kupës UEFA.
“Një short që i ka bërë të qeshë me 32 dhëmbët e tij drejtorin e përgjithshëm të Napolit, Pierpaolo Marino, i cili ishte i pranishëm në selinë e UEFA-s në Nion”, - vazhdon gazeta italiane në versionin e saj online.
“Është e qartë që shqiptarët janë më të pranueshëm sesa grekët Panionos, të mundur tashmë (në Kupën Intertoto), dhe më të lehtë se Hajduku i Splitit, që nga ana e tyre do të përballen me spanjollët e Deportivo La Korunjës”, - shkruan gazeta italiane. Napoli ishte koka e sërisë së Grupit dhe i kishte shmangur në fakt, qysh në short spanjollët, por nga ana tjetër rrezikonte të përballej me kroatët e Hajdukut të Splitit, por edhe me izraelitët e Makabit.
Mediat italiane kanë dhënë një informacion të hollësishëm mbi historinë futbollistike të Vllaznisë, madje kanë numëruar në detaje, jo vetëm trofetë e saj, por edhe bilancin e ndeshjeve ndërkombëtare të klubit shqiptar: 30 ndeshje, 9 fitore, 2 barazime dhe 19 humbje.
Takimi i parë do të luhet në Shkodër, më 14 gusht, ndërsa i kthimit në Napoli, më 28 gusht në “Sao Paolo”. Nëse Napoli apo Vllaznia do të kalojën turin e dytë eliminator, do të bëjnë pjesë në turin e parë të vërtete të UEFA, ndeshje që do të luhen, më 20 shtator dhe 24 tetor.
“Shorti ishte i pafat për ne? E përse? Përkundrazi jemi me fat se do të shohim një qytet të mrekulllueshëm si Napoli, është një ëndërr për të gjithë shqiptarët të vizitojnë Italinë”, - citon gazeta deklarimet e Ardian Zaganjorit, drejtorit sportiv të Vllaznisë.
“Në fushë do të japim maksimumin dhe do të provojmë të kalojmë turin. Jemi të kënaqur, - shton Zaganjori, - të përballemi me një ekip italian, i ftojë tifozët e Napolit të vijnë në Shkodër për ndeshjen e ardhjes. Do të jetë një festë sportive. Tifozët tanë? Sigurisht që do të jenë në stadium të paktën mbi dhjetë mijë tifozë”.
“Jemi duke kryer një punë të mirë, besojmë se jemi një skuadër e mirë, kemi në skuadër 2-3 lojtarë të Kombëtares shqiptare. Ndeshja do të jetë e vështirë, por interesante. Mendojmë se do të jemi të përgatitur për të luajtur kundër një skuadre të fortë”.
Është hera e parë që Napoli e Vllaznia përballen në një ndeshje zyrtare midis tyre. “Partenopei”-t (nofka e Napolit) do të përballen për herë të parë me një skuadër shqiptare, ashtu si Vllaznia me një skaudër italiane.
Vllaznia e filloi aventurën e saj në Kupën UEFA 2008-2009, duke u nisur nga turi i parë eliminator, duke eliminuar Koperin, falë fitores në transfertë 2-1 dhe barazimit në shtëpi 0-0 në ndeshjen e kthimit.
“Le Monde”: “Shorti mëshirëplotë për Napolin”
Klubet e mëdha (angleze, gjermane, italiane e spanjolle) patën një short mëshirëplotë për turin e dytë eliminator të Kupës UEFA (14-28 gusht), shkruan “Le Monde” në versionin e saj në internet. Gazeta franceze përmend si një të tillë edhe fatin e Napolit me Vllazninë, ashtu si atë të Mançester Sitit me danezët e Midtjylland, apo të Aston Vilës me islandezët e Hafnarfjordur. Shtutgardi do të përballet me hungarezët e Giori Eto, ndërkohë që detyrën më të vështirë e ka Deportivo La Korunja përballë kroatëve të Hajdukut të Splitit.
2 Gusht 2008