Të panjohurit në familje
I yni është vend shenjtorësh, poetësh, studiuesish dhe... kunetërish.
Në shoqërinë tonë, kunati nuk është ajo figurë e pastër e kulluar që të ndodh të takosh në raste të veçanta. Kur ai ose ajo hyn në një familje të rëndësishme, ku janë në lojë pasuria dhe pushteti, shpeshherë bëhet një personazh kyç. Ines Testoni, docent psikologjie në Universitetin e Psikologjisë në Padova, studion marrëdhëniet social-ekonomike në familjet e mëdha. “Në shoqërinë tonë ekonomia bazohet në një biznes të madh familjar. Kemi një lloj prodhimi të bazuar te familjet e mëdha industriale, por edhe te bizneset e mesme dhe të vogla, gjithnjë familjare. Në të gjitha këto raste, e rëndësishme është të respektohen rregullat, të punohet në mënyrë të bashkuar dhe ç’është më kryesorja të ndershme, duke respektuar parimet e familjes. Të gjithë pa përjashtim, motrat, vëllezërit, kunetërit duhet t’i garantojnë qetësi familjes dhe të tregojnë respekt kundrejt të gjitha kodeve të sjelljes që ajo ka vënë. Shembulli më ekstrem i kësaj situate është familja mafioze, në të cilën kunetërit e marrin rolin e tyre përmes një rituali “të përgjakshëm” ku bëjnë një betim shumë të rëndësishëm, atë që do të trashëgojnë të gjitha vlerat dhe respektin e familjes”.
Por kush ka thënë se vjehrrat janë kategoria më e “urryer” në familje? Për shumë vetë, kjo duket si një mendim i largët, përderisa antipatia proverbiale është zhdukur dhe zëvendësuar nga ajo për disa të afërm të tjerë të “bezdisshëm”. Të paktën kështu ka konfirmuar një studim, ku u përfshinë gra të martuara dhe ato që bashkëjetojnë. Studimi kishte si qëllim “hetimin” e marrëdhënieve familjare dhe përcaktimin e të afërmve më të padurueshëm. Rezultati ishte i habitshëm. Tashmë një mit është rrëzuar, pasi pjesa më e madhe e të intervistuarve deklaruan se “urrejnë” më tepër se çdo gjë tjetër, kunatin apo kunatën. Një surprizë e vërtetë për vjehrrat. Po cilat janë arsyet e kësaj përmbysjeje të madhe? Sipas 28 për qind të të intervistuarve, kunatat meritojnë vendin e parë në klasifikim, pasi shpesh janë kritikuese, ironike, “pushtuese” të hapësirave të përbashkëta. Ndërsa, 20 për qind e tyre besojnë se ato janë prepotente dhe shpesh marrin rolin e “ndërhyrësit” në marrëdhënien e çiftit. Megjithatë, në lidhje me familjarët “antipatikë” në këtë rast, njerëzit preferojnë të heshtin e të bëjnë sikur s'ka ndodhur gjë, e t’i shmangin ata.
Kunetërit (në pjesën më të madhe të rasteve meshkujt) në disa familje mund të marrin role shumë të rëndësishme. Ndonjëherë kunati është personi i duhur për zhvillimin e vlerave familjare, sepse është i prirur të mos i kalojë kufijtë. Ose për arsye se sjell ide të reja në familje.
Me futjen e kunetërve në shtëpi, situatat kanë ndryshuar rrënjësisht në familje. Një gjë e tillë ka ndodhur me kunetërit, të cilët kanë pasur një personalitet të fortë. Jo rastësisht në të kaluarën, për të mbrojtur kunetërit janë bërë edhe luftëra si ajo që zgjati nëntë vjet (1688-1697) e shpallur nga Luigji XIV Mbreti i Francës për të mbrojtur të drejtat e kunatës së tij, Elisabetta Carlotta (dhe të familjarëve). Ose lufta mes kunetërve ku Elisabeta e Anglisë përmbysi flotën “Armata e pamposhtur”, të cilën e drejtonte krenar Filipi II Mbreti i Spanjës.
Lidhja formale me kunatin/kunatën i ka karakterizuar për shumë vite shoqëritë e të kaluarës. Fjala vjen nga latinishtja “cognatus”: përbëhet nga “cum”,(me, së bashku) dhe “natus” (i lindur). Në anglisht kjo fjalë shprehet “brother, or sister- in law” (pra, vëlla ose motër për ligj), është njëlloj si të thuash: jemi vëllezër, por vetëm përpara ligjit. “Kunati ishte i rëndësishëm në shoqëritë tradicionale, sidomos, në ato të huaja, jo europiane”, thotë një studiues i antropologjisë kulturore. “Për arsye që lidhen me trashëgiminë dhe solidaritetin, raporti më i rëndësishëm nuk ishte ai mes burrit dhe gruas, por ai mes vëllezërve. Për shembull mes Ashantëve të Ganës antropologët vunë re se vëllai i gruas kishte mbi fëmijët e gruas më shumë autoritet se vetë babai, sepse konsiderohej i afërmi më i rreptë: në fakt ishte e atij trashëgimia që u kalonte nipërve”.
Kur Luigji XVI, Mbreti i Francës u martua me Maria Antonietën e Hapsburgut, dukej se nuk arrinte të kishte marrëdhënie seksuale me të. Për të shpëtuar martesën solli në Paris Perandorin e Austrisë, Xhuzepe II, vëllain e Maria Antonietës. Në fakt, ishte Xhuzepe ai që i tregoi të kunatit disa të fshehta për të bërë më mirë seks.
Një tjetër shembull vjen nga Napoli: gjatë viteve ’60 antropologu britanik, John Foster, vuri re se kunati, pra vëllai i gruas kishte një autoritet të jashtëzakonshëm mbi moralin e gruas, që bashkëshortët nuk e kishin. Gjurmë të rëndësishme të këtij lloji gjejmë edhe në jug të Italisë. “Kur pagëzohej një fëmijë, kumbari, në pjesën më të madhe të rasteve ishte kunati, një figurë që në besimin katolik ia kalonte vlerat e familjes fëmijës së pagëzuar, madje kujdesej edhe për rritjen morale të vogëlushit”.
Në një shoqëri, si kjo e sotmja, që lidhjet familjare nuk janë aq të forta sa në të kaluarën, në pjesën më të madhe kunetërit janë më tepër një burim konfliktesh sesa mbrojtjeje. Mes dy dhëndurëve, të cilët janë martuar me dy motra, shpesh mund të krijohet një lloj xhelozie e ngjashme me atë që lind mes dy vëllezërve, për të fituar besimin dhe mirënjohjen e vjehrrit dhe vjehrrës.
#