E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Shteti i Kosovës, me institucione të forta

Kuvendi mban seancë solemne për të përkujtuar pavarësinë

Me një seancë solemne, Kuvendi i Kosovës kremtoi dje dyvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës në të cilën krerët më të lartë të vendit vlerësuan se Kosova e pavarur është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Duke folur në këtë seancë solemne, Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës "është rezultat i punës, i sakrificave dhe i flijimeve të gjata të brezave të shumtë të Kosovës, si dhe i ndihmës së madhe të miqve tanë ndërkombëtarë, vendeve të Aleancës Veriatlantike dhe vendeve të tjera anekënd botës". Në këtë dyvjetor të pavarësisë së shtetit tonë të lirë, Presidenti Sejdiu tha se duhet kujtuar "me mburrje ideatori dhe arkitekti i Republikës së Kosovës, prijësi ynë historik dr. Ibrahim Rugova, i cili përhapi të vërtetën për Kosovën në të gjitha qendrat e mëdha të botës, në Uashington, në Bruksel, në Londër, në Paris, në Berlin, në Romë, në Ankara e gjetiu". "Filozofia politike e Ibrahim Rugovës, fryma krejtësisht e veçantë e humanizmit dhe paqes që ai predikonte ishin diçka e re për këtë pjesë të Europës e të botës, në të cilën përherë ka mbisunduar retorika e luftës dhe e urrejtjes. Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi theksoi se në dy vitet e shtetndërtimit Kosova i ka ngritur të gjitha institucionet kushtetuese e demokratike të shtetit, si dhe ka stabilizuar shoqërinë shumetnike dhe është bërë faktor paqeje në rajon. Krasniqi, në fjalën e tij, numëroi ligjet e miratuara për të cilat tha se "rregullojnë shtetësinë e Kosovës, përcaktojnë standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, mundësojnë zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe hapin perspektivën integruese në Bashkimin Europian dhe në institucionet e tjera euroatlantike". "Pavarësia ishte një nga parakushtet e domosdoshme të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Kosova ka potenciale të shumta zhvillimi e përparimi, por nuk i mungon as mbështetja e solidariteti ndërkombëtar. Prezenca ndërkombëtare, civile dhe ajo e sigurisë, angazhimi i miqve tanë të shumtë për forcimin e vendit tonë dhe konferenca e donatorëve e vitit 2008, e konfirmojnë përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj", tha Krasniqi. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi tha se për të mbërritur deri në këtë ditë të festës së pavarësisë, është punuar dhe sakrifikuar nga gjenerata të tëra. "Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri, pavarësi dhe rend demokratik në atdheun tonë e realizuam bashkërisht me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar. Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe secili duhet të ndihet krenar kudo që jeton", tha Kryeministri i vendit. Sipas Thaçit, shteti i Kosovës është më i konsoliduar, me një qeverisje të mirë dhe sundim të rendit dhe ligjit. Ndërkaq, sfidat e së ardhmes ai tha se janë zhvillimi dhe integrimi në strukturat euroatlantike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›