Pemët, njollat e gjelbra, vetëm rreth parkut të Liqenit Artificial
Plani i ri Rregullues shton pak zona kompakte pemësh, por në total shton 175 hektarë gjelbërim. Bashkia: Janë shtuar zonat e gjelbra në Tiranë
Plani i ri Rregullues i qytetit të Tiranës, që është prezantuar tashmë nga Bashkia e Tiranës, i vë theksin krijimit të zonave të përcaktuara të gjelbra, banimi, ekonomike dhe zona mikse. Mirëpo, në dukje të parë, harta përcaktuese e planit të ri të Tiranës përcakton si zona kompakte gjelbërimi vetëm ato ekzistuese, pra Liqenin Artificial dhe dy parqe të vogla në qendër të Tiranës. Ariela Kushi, arkitekte në Drejtorinë e Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës, sqaron se kjo nuk do të thotë se do të ketë më pak gjelbërim sesa ka tani.
Gjelbërimi
Ndonëse në dukje në planin urbanistik njollat e gjelbra nuk janë të dukshme, përveç parkut të Liqenit Artificial, sipas Bashkisë së Tiranës, ato do të shtohen. “Plani është një sistem rregullator që orienton dhe faciliton zhvillimin urbanistik. Plani parashikon ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe shtimin e tyre si në nivel makro, ashtu dhe në nivelin e zonave të reja ku propozohet që një pjesë e konsiderueshme e zonës të jetë hapësirë e gjelbër kompakte”, – thotë për “standard” znj. Ariela Kushi.
Por sipas shoqatave të mbrojtjes së mjedisit, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Zyra Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit kanë reaguar ndaj këtij plani. Sipas tyre, me këtë plan tentohet të zvogëlohen kopshti botanik, pishinat, kompleksi “Dinamo”, Garda, kopshti zoologjik dhe çdo gjurmë e njollave të gjelbra të Tiranës. Ata madje kanë protestuar kundër këtij plani, duke e cilësuar si joserioz dhe betonizues të Tiranës.
Këtij argumenti, bashkia e kryeqytetit i përgjigjet me rritjen e hapësirave të gjelbra. “Ky plan na jep mundësi të shtojmë 175 ha gjelbërim, në një qytet ku në vitin 2000 kishte 3.1 metra katrorë gjelbërim për person dhe sot ka 4.3 metra katrorë gjelbërim për person”, – deklaron znj. Kushi, duke shtuar se llogaritjet për gjelbërimin për person bëhen në bazë të një rregulli urbanistik ndërkombëtar.
Për Parkun e Tiranës, që plani parashikon ndryshime rrënjësore, në bazë të një vendimi të KRRTRSH-së, që e ka kthyer në zonë urbane, ka pasur reagime të shumta. Prof. Sazan Guri kishte përshkruar se “parkut të Liqenit, të vetmit të qytetit të Tiranës të tejpopulluar, të tejngopur me gaze të helmëta e të etur për ujë, i ngjitet një qendër tjetër urbane, krahas qendrës kashariote tashmë të ngritur brenda në të dhe krahas superqendrës së Bllokut e të Tiranës së Re në hyrje të parkut, që do gjenerojë edhe më shumë gazra të tilla të helmëta, që do të pakësojë ujin në rubinetet e qytetit dhe që, në fund të fundit, mund edhe të atrofizojë përfundimisht atë duzinë hektarësh gjelbërim, që i ka mbetur qytetit të Tiranës”.
Por, sipas bashkisë, ky është një vendim i KRRTRSH-së që i tejkalon kompetencat e pushtetit vendor. Në të kundërt, znj. Kushi deklaron se ky plan përmirëson situatën në vend.
“Plani synon krijimin e një baze planifikimi të përshtatshëm urban, e cila do të integrojë funksione të ndryshme planifikimi të Tiranës, duke orientuar dhe duke i dhënë karakter detyrues proceseve rregulluese. Plani Rregullues do të vazhdojë gjithashtu të përpunohet me studime të tjera siç është dhe strategjia për mjedisin”, – shpjegon znj. Kushi.
Plani Rregullues
Plani i ri Rregullues përcakton një sërë risish në zhvillimin e Tiranës, sipas bashkisë. “Plani sjell një risi, duke krijuar zona zhvillimi mikse ku ndërthuren funksione të ndryshme, si strehim, punësim, argëtim dhe shërbime sociale si dhe lehtësira publike. Si rrjedhojë, do të minimizohet trafiku në qytet, fakt ky që sjell uljen e nivelit të ndotjes.
Krijimi i qendrave do të shërbejë si katalizator në zhvillimin e zonave përreth tyre”, – shpjegon znj. Kushi. Sipas saj, krijimi i brezave mbështetet në idenë e një planifikimi koncentrik, i cili sot është i tejkaluar zonat dhe parametrat e zhvillimit të tyre janë përcaktuar në bazë të analizës së gjendjes ekzistuese dhe trendeve të zhvillimit, duke u përpjekur të harmonizohet zhvillimi privat me interesin publik.
Por në këtë qëllim, pengesat janë të shumta. Pikësëpari, zonat informale, ku Plani Rregullues ka vendosur të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e tyre, do të duan një investim kolosal, si për investime, ashtu edhe për shpronësimin e pronarëve të tokave që do të legalizohen.
“Një nga sfidat kryesore të qytetit është integrimi i të gjitha zonave të ashtuquajtura informale në kryeqytetin e së ardhmes, duke respektuar logjikën e patjetërsueshme të procesit të legalizimit dhe njëkohësisht duke konsideruar nevojën e domosdoshme të të gjitha atyre familjeve që sot jetojnë në këto zona, për të pasur një infrastrukturë e cila t’i plotësojë të gjitha nevojat e tyre dhe të fëmijëve të tyre me të gjitha shërbimet publike dhe me një infrastrukturë sociale, si çerdhe, kopshte, shkolla”, – deklaroi znj. Kushi
Sipas saj, plani parashikon disa lloje ndërhyrjeje ku një rol themeltar në formimin e qytetit do të luajnë rikualifikimi dhe ristrukturimi urban. “Nëse rikualifikimi parashikon sistemime të rrjetit rrugor, krijim të hapësirave publike etj., ristrukturimi do të sjellë hapjen e rrugëve të reja dhe zhvillim të frontit urban. Zonat informale nuk konsiderohen si zona “speciale”, por si një pjesë e rëndësishme e qytetit pa asnjë dallim nga çdo lagje tjetër e tij”, – tha znj. Kushi.
Një tjetër problem i hasur është ndarja e kompetencave me komunat përreth kryeqytetit dhe në veçanti me komunën e Farkës, që mban përgjegjësi për pjesën lindore të parkut të Liqenit Artificial. Por, sipas bashkisë, do të ketë konsultime të vazhdueshme edhe me këto komuna për të përmirësuar situatën. “Plani Rregullues është përfshirë në një konsultë publike me qytetarët e Tiranës, por i gjithë ky proces konsultimesh do të përfshijë sigurisht dhe komunat. Plani ofron zgjidhje për mënyrën se si, pavarësisht nëse administrohet zona nga Bashkia e Tiranes apo nga komunat, çdo njësi vendore merr pjesën e vet të përgjegjësisë, pjesën e vet të planit”, – tha znj. Ariela Kushi.
Plani i ri Rregullues i kryeqytetit është prezantuar në verën e këtij viti dhe pas dialogut me qytetarët të iniciuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, u miratua pa asnjë ndryshim. Në të përcaktohen zonat e kryeqytetit, sipas zhvillimit dhe destinacionit të tyre.