E Diel, 1 Nëntor 2026

“Penalizime të ashpra ndaj gjyqtarëve që abuzojnë me detyrën”

04-05-2013 / Gazeta 55

Kreu i KLD-së, Presidenti Bujar Nishani kërkon hapjen e një portali të veçantë për ankesat

Këshilli i Lartë i Drejtësisë  ka nisur me shprehjen e mirëseardhjes për Kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë dhe Kryetarit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, zotit Zaganjori, i cili është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Presidenti Nishani, njëkohësisht kryetar i KLD-së ka shprehur konsideratën e tij, dhe vlerësimin maksimal për disa nga vendimet dhe qëndrimet e fundit të qeverisë shqiptare dhe Parlamentit shqiptar. “E para ka të bëjë me rritjen e nivelit të pagave të gjyqtarëve, gjykatave të faktit dhe gjykatave të apelit, jo vetëm për faktin që ishte dhe një adresim nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndaj qeverisë dhe Parlamentit për këtë çështje, por edhe ishte një çështje që u trajtua me shumë seriozitet në të dy këto institucione të rëndësishme të vendit. Jam i bindur që ky hap dhe ky vendim do t’u shërbejë më së shumti gjyqtarëve të ndershëm dhe kurajozë pa mohuar faktin e shqetësimeve, problematikave të veprimeve korruptive dhe antiligjore të gjyqtarëve të caktuar në sistemin e gjyqësorit. Ne mbetemi të bindur se sistemi i gjyqësorit dominohet nga njerëz me integritet të lartë profesional, të cilët kanë nevojë për inkurajim, kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për vlerësim. Ndaj me ju mendimin se ky hap i rëndësishëm i qeverisë dhe i Parlamentit inkurajon pikërisht atë grup të madh të gjyqtarëve, të cilët dëshirojnë që në karrierën e tyre të ofrojnë profesionalizmin, të ofrojnë integritetin, dhe me të drejtë kërkojnë të ndihen të vlerësuar nga shoqëria dhe nga shteti”, deklaroi ai.
Më pas presidenti Nishani ka vënë në dukje se, vendimet më të fundit të qeverisë dhe të Parlamentit për ndërhyrje të rëndësishme në Kodin Penal dhe të Procedurës, janë një hap i rëndësishëm dhe vendimtar, jo vetëm në aspektin e forcimit të një politike penale që është e nevojshme për sfidat që shoqëria shqiptare ka përpara, por edhe për të ngushtuar maksimalisht abuzimet që mund të bëheshin nga gjyqtarë apo prokurorë të caktuar gjatë punës së tyre hetuese dhe gjykuese. “Ndaj, do të desha të ndaj me opinionin publik këtë vlerësim në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe për të vijuar gatishmërinë e këtij Këshilli nga njëra anë, për të mbështetur fuqimisht punën e gjyqtarëve tanë, për të inkurajuar profesionalizmin e tyre, për të nxitur dhe vlerësuar integritetin e tyre qytetar dhe njerëzor. Dhe nga ana tjetër, për të qenë monitorues të kujdesshëm, gjykues të drejtë dhe penalizues të ashpër në të gjitha rastet, kur ne do të identifikojmë veprimtari në kundërshtim me ligjin haptas kundër të drejtës së qytetarëve dhe korruptive nga gjyqtarë kudo që ata të jenë, të cilësdo gjykate që i përkasin dhe pavarësisht motiveve që i shtyjnë për të vepruar në mënyrë të tillë”, theksoi ai.
Ndër të tjera, presidenti Nishani nënvizoi se gjatë këtyre kohëve në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë një numër ankesash dhe komunikimesh me qytetarë të ndryshëm të vendit, të cilët pretendojnë për shqetësime dhe problematika të ndryshme që kanë mbi sistemin gjyqësor. “Janë për t’u vlerësuar që të gjitha këto ankesa, por veçanërisht duhet të jenë tërësisht të pa tolerueshme rastet kur proceset gjyqësore zvarriten në kurriz të së drejtës së qytetarit; kur vendime gjyqësore mbeten në sirtarët e zyrave të gjyqtarëve me muaj të tërë, duke mohuar dhënien e të drejtës qytetare”, vijoi ai.
Ndërkaq kreu i KLD-së nënvizoi se i ka kërkuar Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa që në faqen zyrtare elektronike të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të vendoset menjëherë një portal i veçantë për depozitimin e të gjitha ankesave të drejtpërdrejta nga ana e qytetarëve, portal i cili të ketë detaje të plota jo vetëm për identifikimin e rastit, por dhe për të realizuar mënyrën e komunikimit sa më të shpejtë me qytetarin. “Dëshiroj t’i garantoj qytetarët se Këshilli i Lartë i Drejtësisë çdo ankesë që do të depozitohet në këtë Portal on-line, në mënyrë publike nga çdo qytetar, do ta ndjekë me vëmendjen dhe përgjegjësinë maksimale. Këto ankesa do të jenë në çdo rast pjesë e agjendës prioritare të punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Inspektoratit të saj, të bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe me të gjitha institucionet e tjera të shtetit”, përfundoi fjalën kreu i KLD-së, presidenti Bujar Nishani.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›