E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pendohuni dhe do të jeni të lirë

Nga Eduart Ypi

Në vitin 1992, pas 22 marsit, në kohën kur punoja si zv.ministër i Punës, më lajmërojnë se më kërkonte për takim një person i veshur oficer. I thashë punonjësit të shërbimit ta linte të hynte dhe për çudinë time përpara mu shfaq një oficer i lartë i kampit të Spaçit. S’e bëra veten dhe e pyeta me mirësjellje se për çfarë ishte munduar. Pa u zgjatur shumë, personi në fjalë më mbyti me një mori fjalësh ku në thelb zbulohej fakti që e kishin lajmëruar se do të lirohej nga detyra e oficerit. Paksa i habitur se përse më kishte zgjedhur pikërisht mua u mundova t’i shpjegoja se kohërat kishin ndryshuar dhe se ai ishte gjendur në një pozicion i cili nuk e favorizonte për të vazhduar të ushtronte karrierën e tij të kriminalizuar. Rrugët e Zotit janë të pafundme, vazhdova, kërko punë diku tjetër dhe vështro gjithmonë nga brenda vetes për të lehtësuar sadopak ndërgjegjen, pasi me të vërtetë në atë kohë besoja se tashmë të gjithë duhet ta kishin kuptuar se çfarë kishin bërë dhe secili të mbante pjesën e përgjegjësisë që i takonte. Gabohesha. Thënia ime jo vetëm që nuk i bëri shumë përshtypje, por vazhdoi duke më kërkuar me ngulm ta ndihmoja, pasi sipas tij, edhe ai ishte sjellë mirë me mua në kohën që gjendesha në burg (për hir të së vërtetës, origjinën e kishim nga e njëjta krahinë dhe në raport me mua, në kushtet e tmerrshme të burgut mund të themi se ishte sjellë mirë). Në moment iu përgjigja: “Po, je sjellë mirë me mua dhe unë personalisht të kam një borxh. Bjer në burg ku unë të jem në pozicionin që ishe ti dhe të jesh i sigurt që edhe unë do të sillem po aq mirë sa ç’më je sjellë”. Me kaq biseda mbaroi dhe unë nuk e di sot e kësaj dite se si i ka vajtur filli këtij personi dhe nuk u bëra kurrë pishman për ato fjalë, sado që e ndieja edhe vetë që në njëfarë mënyre mund të konsiderohej cinizëm në një rast tjetër. E mora shembullin e këtij oficeri jo vetëm se është një pjesë e përvojës personale përballë egoizmit njerëzor, por do të dëshiroja ta vija kundrejt përvojave të panumërta jo vetëm të “rojeve”, por të urdhëruesve të vërtetë të krimeve që fillonin nga instancat e larta të partisë shtet dhe mbaronin me instrumentet e ligjërimit të dhunës, që s’ka dyshim ishte trupa e hetuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të regjimit. Është për t’u habitur fakti që në të gjitha këto vite që dalëngadalë po bëhen 20 vjet, nuk dëgjova dhe pashë kurrë dikë të kësaj kategorie që të thotë me plot gojën: “Kemi gabuar, na ndjeni”. Përkundrazi, një lumë justifikimesh për të dalë personalisht të larë. Asnjëherë pendesë, asnjëherë ndërgjegje për të pranuar fatin e ri. I sheh kudo këta tipa duke filluar që nga tribuna e lartë e Parlamentit e deri në ato më të thjeshtat, në ekranet e TV-ve dhe në faqet e gazetave, të fryrë dhe të padurueshëm, aq sa nganjëherë beson me të vërtetë se fajtorët paskëshim qenë ne që nuk e duruam atë kohë dhe në mos ndonjë gjë tjetër folëm dhe protestuam duke shkelur sipas tyre, ligjin e asaj kohe. Është e vërtetë se sot kanë ndryshuar kohërat, Shqipëria tashmë nuk njihet më qoftë nga zhvillimi i vrullshëm ekonomiko-financiar që është i dukshëm dhe nuk do koment, por ç’është më e rëndësishmja, ka ndryshuar mentaliteti mbi botën, mbi shtetin mbi kolonat morale të shoqërisë e shoqëruar me një transformim të paimagjinueshëm më parë në drejtim të ndërtimit dhe të funksionimit institucioneve. Gjithmonë e më shpesh fjalë e togfjalësha të tillë si kushtetutë apo shtet ligjor peshojnë gjithmonë e më shumë, larg dhe fare të pakrahasueshme me fjalët që përcaktonin shtetin e diktaturës së proletariatit. Të mendosh se individët që i shërbyen shtetit të diktaturës me të gjithë vrullin profesional dhe vullnetin politik kriminal për zbatimin e rregulloreve të atëhershme legjislative, jo vetëm që do të ishte naivitet, por më mirë të themi është një kamuflim kriminal i të vërtetës për të siguruar mbijetesën e sotme politike të kriminelëve të djeshëm. Vështirë se ka ndonjë prokuror, gjykatës ose hetues të asaj kohe që të ketë harruar të ashtuquajturën “mbledhje të tri organeve” që nënkuptonte takimin e rregullt mujor të Degës së Punëve të Brendshme, Gjykatës dhe Prokurorisë (këtë mbledhje ma përmendte shpesh hetuesi si për të më treguar se vendimi tashmë ishte marrë). Si mund të themi që këta persona kanë zbatuar ligjin, ndërkohë që kjo mbledhje përbënte në thelb një organ ekstraligjor që kryente faktikisht detyrat e trupit të vërtetë gjykues nën drejtimin personal të sekretarit të parë të rrethit. Sigurisht që kishte edhe arbitraritete të tjera shumë më të stërholluara dhe më kriminale, siç ishin vrasjet e fshehta të kryera nga Sigurimi i Shtetit dhe shumë e shumë forma të tjera të cilat as që mund të gjenden në ndonjë rregullore të shkruar apo metodikë injorante - djallëzore të asaj kohe. Pa menduar për asnjë moment krijimin e një klime hakmarrjeje dhe terrori, duke pranuar apriori se të gjithë u inkriminuan nga zbatimi i detyrës do të kishte qenë e udhës që procesi i pastrimit të fillonte nga individi sesa anasjelltas. Me këtë dua të them se është detyra e të gjithë punonjësve të ish-organeve të lidhura në formë të drejtpërdrejtë me aktivitetin kriminal të diktaturës, vullnetarisht, përpara se të marrin përsipër të zgjidhen apo të ushtrojnë detyra publike të pastrojnë kur është e mundur veten nga krimet e supozuara nëpërmjet organeve të shtetit të sotëm ligjor, por, dhe kjo është e rëndësishme ata vetë nuk mund të jenë kurrë gjyqtarët supremë për të vendosur mbi të kaluarën e tyre. Në pikëpamje artistike për të përcaktuar këtë parim do të mjaftonte thënia inteligjente e Oskar Uajlldit: “Nuk ka asnjë njeri aq të pasur sa mund të blejë të kaluarën e vet”. Ndërsa nga pikëpamja ligjore ky supozim mund të duket si një aksiomë e padrejtë që bie ndesh me parimet e konventave moderne për të drejtat e njeriut, por sidoqoftë, ndër të tjera ka dy aspekte që duhet të merren në konsideratë në rastin tonë, e para, në raport me vendet e tjera evropiane Shqipëria është e shfazuar dhe ka mbetur mbrapa në dënimin dhe rikuperimin e krimeve nga regjimi komunist për shkak të zgjatjes dhe ashpërsisë anormale të diktaturës dhe e dyta, nuk ka asnjë precedent në asnjë nga vendet ish-komuniste evropiane ku anëtarët e trupave të larta ligjvënëse dhe ligjzbatuese të jenë lënë me ndërgjegje të lejohen të mbajnë të njëjtat pozicione edhe në pluralizëm me të cilin kanë qenë armiq të betuar. Do të ishte hipokrizi, pse të mos themi turp, i një shkalle kombëtare nëse ne akoma vazhdojmë të kundërshtojmë në dritën e diellit pastrimin njëherë e mirë të mjediseve tona ligjore nga çdo mbetje institucionale e të kaluarës kriminale. Kushtetuta nuk mund të jetë ligji themelor i shtetit, shteti ligjor nuk mund të jetë i tillë, Shqipëria nuk mund të futet në Evropë për sa kohë do të jetë pis dhe do të vazhdojmë të shohim dhe të dëgjojmë ish-kriminelët e djeshëm, duke dhënë leksione për demokracinë e sotme. Këshilla e vetme do të ishte: “Ikni, hidheni krimin tuaj dhe të jeni të sigurt që do të ndiheni më mirë!”

P. S. “Me kokën ndër duar rri dhe mendohem, kujtoj kohën e kaluar, vajtoj rininë e këputur, të vyshkur e të tharë të mijëra shqiptarëve të tretur në humbëtirën e heshtjes së dhunshme, më pas më faniten varre pa emër që si ushtarë të panjohur, të panderuar e të përdhosur duken sikur nga atje ku janë në gropat e lagështa, të ftohta dhe të errëta po plasin nga marazi ngaqë s’flasin dot”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›