Vlorë, punëtorët e Ndërmarrjes së Kripës, në protestë
U është komunikuar se do të dalin në reformë. Kreu i ndërmarrjes: Punëtorët do të punojnë me sezone
Punëtorët e Ndërmarrjes së Kripës në Vlorë kanë protestuar mëngjesin e djeshëm, duke bllokuar procesin e punës. Kanë qenë 116 punëtorë të kësaj ndërmarrje që nuk kanë pranuar të vijojnë punën deri në zgjidhje të kërkesave të tyre. Shkak i protestës është bërë paralajmërimi për shkurtime të vendeve të punës, që do të bëhen për një pjesë të madhe punonjësish, pas dhënies së ndërmarrjes me koncesion. Punëtorëve u është komunikuar se do të qëndrojnë në marrëdhënie pune deri në muajin mars dhe pas kësaj periudhe ata do të hidhen në rrugë. “Nuk ka pasur transparencë. Nuk dimë pse merren këto vendime, kur ne jemi të gjithë familjarë dhe kemi kontribuar për vite të tëra në këtë ndërmarrje”, është shprehur një nga punonjësit protestues.
Punëtorët thanë se nuk janë kundër privatizimit, por kërkojnë që vendimet të bëhen transparente dhe të mos përfundojnë në rrugë, kur kanë vite që kanë punuar në kushte të vështira në pozicionet e punës që ka Ndërmarrja e Kripës. “Na janë shpallur emrat në lista, bashkangjitur edhe vjetërsinë e punës dhe sipas zërave që qarkullojnë, ndërmarrja do të operojë si sezonale, ndërkohë që deri më tani ne kemi qenë pranë saj me kohë të plotë”, thotë një tjetër punonjës. Ndërkaq, drejtori i Ndërmarrjes së Kripës, Gjergji Brakaj, ka sqaruar për “Shqip” se me punëtorët do të operohet sipas kontratave të punës. Më tej, kreu i ndërmarrjes ka sqaruar se punëtorët do të përfitojnë asistencat, ndërsa kanë mundësi të punësohen në mënyrë sezonale, sipas nevojave për procese të caktuar, nëpër të cilat kalon prodhimi i kripës. “Punëtorët kanë shqetësimin se nuk do të paguhen. Por unë mund të them se shitja e kripës do të jetë e garantuar, çka nuk nënkupton moslikuidimin e punëtorëve”, thotë Brakaj.
Sipas përfaqësuesve që kanë marrë ndërmarrjen me koncesion, nuk ka kontrata të lidhura me shtetin për ecurinë e punësimit të fuqisë punëtore. Drejtuesit thanë se vetë procedurat e nxjerrjes së kripës kanë profil sezonal dhe ndërmarrja do të operojë si e tillë.
#