E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 35 shqiptarë, trafikuan drogë me vlerë 20 milionë euro

Itali

Zbulohet një tjetër rrjet shqiptar që merret me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të quajtur “Santo Gral”, policia italiane në bashkëpunim me seksionin e antidrogës së Firences ka arrestuar 35 persona me akuzën “trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe organizim të grupeve kriminale. Sipas të dhënave të policisë italiane, organizata që drejtohej nga shtetas me origjinë shqiptare ushtronte veprimtarinë e saj jo vetëm brenda kufijve italianë, por ishte edhe jashtë tyre si në Holandë dhe Spanjë. Sipas të dhënave, arrestimet nuk do të mbarojnë këtu, por priten të arrestohen edhe rreth njëqind persona me të njëjtën akuzë, të cilët ndodhen brenda dhe jashtë kufijve të Italisë. Ata kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të kësaj organizate. Gjatë kontrollit të bërë të 35 personave të arrestuar, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 227 kg lëndë narkotike (kokainë, heroinë dhe marijuanë), gjithashtu 4 pistoleta, 176 fishekë dhe 8 automjete që i shërbenin grupit për të kryer aktivitetin. Lënda narkotike e sekuestruar kap vlerën e 20 milionë eurove dhe sipas grupit të hetimit ishte bërë gati për t’u shitur në zonat që organizata kishte nën kontroll. Sipas autoriteteve italiane, ky grup kishte kohë që ishte nën hetim, por për shkak të shtrirjes së veprimtarisë së tyre arrestimi zgjati pak më shumë se sa parashikohej.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›