Shemben 20 banesa në Mamurras
KURBIN- Inspektorati i Policisë Ndërtimore prishi 20 shtëpi banimi në fshatin Fushë - Mamurras. Dje nuk ka pasur përleshje mes banorëve e policisë, por vetëm debate me Drejtorin e Rrugëve Andi Toma. Banorët u shprehën kundër vlerës së paguar nga ana e kësaj drejtorie për banesat. Për të takuar banorët dhe mbështetur ata në pretendimet e tyre ishte edhe deputeti i PS-së Gjovalin Kadeli, i cili u shpreh se "prishja e shtëpive të banimit pa i shpronësuar është një veprim antiligjor. Nuk mund të pranojmë që një dylym tokë të shpronësohet nga shteti me 3.5 milionë lekë të vjetra, ku toka ngjitur saj shitet 35 milion lekë dylymi. Ndërkohë, Gjergj Bojaxhi, theksoi po dje se banesat janë të shtetit, përderisa ato janë shpronësuar. "Unë po zbatoj vetëm ligjin, pasi banorët e dinin që prej tre muajsh se do iu prishen banesat. Kjo rrugë i shërben të gjithëve dhe nuk duhet t'i japim asaj ngjyrime politike", u shpreh Bojaxhi. Po dje reagoi edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili nëpërmjet një deklarate e cilësoi shembjen e banesave si antiligjore. r.n