PD: Bllokmenët e rinj nuk kanë respekt për institucionet
Bumçi sulmon ashpër liderin e opozitës. Patozi: çdo deputet i PD, 50 mijë lekë donacion për Shkodrën
Deputetët e Partisë Demokratike vendosën dje të kontribuojnë me një shumë prej 50 mijë lekësh të reja secili për banorët e zonave të përmbytura në vend. Vendimin e mori dje grupi parlamentar i PD-së dhe u bë i ditur nga kreu i këtij grupi, Astrit Patozi. Sipas Patozit, të ardhurat do të merren nga pagat mujore të deputetëve. Po kështu, kreu i grupit parlamentar të PD-së deklaroi se pavarësisht qetësimit dhe përmirësimit të situatës në zonat e përmbytura, është e domosdoshme që të mos shkëputet asnjë ditë vëmendja për të ndihmuar me të gjitha mjetet dhe mundësitë banorët në nevojë. Po kështu, sipas Patozit, grupi parlamentar i PD-së, shprehu mbështetje të plotë dhe vlerësoi punën e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të agjencive të tjera shtetërore të angazhuara në terren për përballimin dhe kapërcimin e situatës së krijuar në Qarkun e Shkodrës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, deklaroi gjithashtu se në mbledhjen me dyer të mbyllura u ra dakord se angazhimi dhe përkushtimi i çdo strukture shtetërore dhe i çdo deputeti do të vijojë deri në kthimin e gjendjes në normalitet të të gjithë zonës së përmbytur dhe në kompensimin e plotë të çdo qytetari të dëmtuar. Por përveç ndihmës së ofruar për kapërcimin e situatës në veri të vendit, deputetët e grupit parlamentar demokrat nuk harruan të kritikonin dhe kolegët e tyre socialistë, për mospjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur dje me rastin e përmbytjeve të ndodhura në veri të vendit. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, deklaroi se mospjesëmarrja e deputetëve të Partisë Socialiste me urdhër të Edi Ramës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit tregon urrejtjen që ata kanë ndaj institucioneve demokratike që kanë dalë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë. “Kjo urrejtje e Edvin Kristaq Ramës dhe e bllokmenëve të rinj ndaj votës së lirë të qytetarëve shqiptarë është trashëgimia e vërtetë e etërve të tyre historikë dhe biologjikë”, deklaroi deputeti Bumçi. Po kështu, ai theksoi se bojkoti i opozitës në këtë seancë është një dëshmi tjetër e urrejtjes që Edvin Kristaq Ramës dhe bllokmenët e rinj ushqejnë ndaj Shkodrës, ndaj vlerave për të cilat Shkodra qëndroi dhe u persekutua gjatë viteve të diktaturës dhe për atë çfarë Shkodra ka përfaqësuar gjatë këtyre 20 viteve të historisë postkomuniste të Shqipërisë.
#