E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2010, fundi i procesit të legalizimit

09/11/2009  Intervistë me drejtorin e ALUIZNI-t në Fier, Edmond Numani: Sot kërkohet vetëm ritëm

FIER- Në të gjithë qarkun e Fierit numërohen rreth 28 mijë ndërtime pa leje. Procesi i legalizimit të tyre nisi si një mision i pamundur pasi infrastruktura dhe kapacitetet teknike dhe njerëzore ishin të paktë. Por sot pas gati thuajse 2 vjetësh duket se pronarët e këtyre godinave të panjohura ligjërisht do të marrin një status tjetër. Për të hedhur më shumë dritë mbi të gjithë këtë proces të gjatë të lodhshëm dhe të rrëmujshëm flet drejtori i ALUIZNI-t Fier Edmond Numani....

Si paraqitet situata në zyrën tuaj. Si është ecuria e punës?

Është fat një amnisti ndërtimore. Procesi i legalizimit po shkon me ritme të shpejta dhe të gjitha ndërtimet pa leje po marrin certifikatën e pronësisë. Kohët e fundit, ne po i japim një ritëm ecurisë së procesit. Ka një frenim momental sepse qytetarët po presin qarkullimin e letrave me vlerë në eficencë, por përditë bëhen dosjet dhe çohen në hipotekë. Bonot nuk kanë ardhur akoma sepse nuk ka dalë ligji për to.

Janë 28 mijë ndërtime pa leje në qarkun e Fierit. Ku po punoni aktualisht më shumë?

Ne po punojmë në zonat ku sot gjenden hartat vektoriale Fier, Patos, Ballsh, Roskovec, Levan, ndërsa në Lushnjë, Grabian, Dushk, pasi të mbyllen këto zona po shkohet drejt përfundimit të këtyre zonave, dhe mbulimit me harta vektoriale.

Çfarë është harta vektoriale?

Harta vektoriale është një hartë që bëhet pas fotografimit ajror që i është bërë gjithë vendit. Flitet deri në 6 mm gabimi..Saktësia e saj është shumë e madhe dhe e gjithë puna e zyrës sonë është e digjitalizuar, materiali ruhet në disqe dhe me një nivel të lartë saktësie. Dhe kjo nuk lë vend për abuzime dhe nuk ka mbimbulim të pronave dhe ligji i legalizimit e ka mbyllur shumë bukur. Kemi kompensim të pronarit, ku i preket prona. Legalizimi vazhdon si në tokën shtet, ashtu edhe në tokën private. Vetëm me një vendim gjykate rihapet ose mbyllet dosja. Ligji ka dhënë një zgjidhje të plotë.

Konkretisht ndërtimet pa leje janë në zonat rurale apo në qendrat e zhvilluara?

Janë në zonat e zhvilluara, në qendrat e mëdha të banuara, Fier, Lushnjë, Divjakë, në akset kryesore, në pikat turistike, pavarësisht ligji e dënon ngritjen e tyre dhe dhënien e lejes së legalizimit.

Në takimet tuaja me kreun e ALUIZNI-t, Shaban Memia, si paraqitet Fieri në krahasim me qarqet e tjera?

Ne kemi në një ecuri normale si të gjitha qarqet e tjera si në azhornim në terren, por edhe në dhënien e lejeve të legalizimit dhe ecuria jonë është gati e njëjtë me rrethet e tjera.

Bashkëpunimi juaj me zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kur përfundon si proces?

Është një marrëdhënie e mirë dhe e domosdoshme sepse e gjithë puna jonë do të shkojë në hipotekë, pasi jepet leja e legalizimit. Kështu që gjatë gjithë procesit, verifikimi i pronave kalohet në hipotekë dhe pasi përpunohet, merren edhe numrat e pasurisë, numri hipotekor, kështu që lidhja është domosdoshmërish me atë të zyrës së Regjistrimit dhe hipotekës.

Kur do të kenë certifikatën e pronësisë qytetarët fierakë? Edhe sa do të vazhdojë ky proces?

Qytetarët e kanë prekur, janë 300 objekte që janë certifikuar në Fier e Lushnjë, por po përgatiten dosjet, bëhen pagesat e faturave dhe po çohen drejt hipotekës. Janë 3000 dosje që do të certifikohen me leje legalizimi. Ne kemi bërë një apel që deri në fund të vitit 2010 të mbyllet ky proces deri në azhornim.

Mbani mend rreth vështirësive të para të zyrës suaj. Ka pasur konflikte me qytetarët?

Vetë procesi i legalizimit ka qenë i vështirë. Ka zgjatur si proces, por ecurinë e ka marrë në shtator 2008 ku i ka kaluar kompetencat teknike zyrës së ALUIZNI-t. Vetë specialistët kanë qenë fillimisht të papërgatitur, ka pasur trajnime të specialistëve. Sot niveli i tyre është i lartë. Vetë procesi ka kaluar në kristalizim, por sot nuk ka probleme teknike apo juridike. Sot duhet vetëm ritëm.

Mesazhi juaj për qytetarët fierakë?

Të gjithë ata që janë në proces legalizimi të fillojnë të bëjnë pagesat që kjo dosje të shkojë drejt hipotekës. Kuptohet jo të gjithë do të legalizohen, se ne do të zbatojmë planin urbanistik. Ku kemi shkelje të ligjit, ne do të kemi skualifikime, por këto do të jenë të pakta.

Do të ketë kundërshti nga qytetarët, të cilët nuk do të kenë certifikatën e pronësisë?

Jo, unë mendoj se ata nuk do të ndjehen mirë, por duhet të jenë të vetëdijshëm që nga zyra jonë do të dalë vetëm produkt pro ligjor. Ka anë ligjore që nuk lejojnë pronat e tyre të legalizohen.

Cila është natyra e ndërtimeve pa leje?

Ndërtimet pa leje janë të formave dhe mënyrave të ndryshme, shtëpi banimi, institucione, garazhe, ndërtesa për biznes, karburante, të gjitha llojet e ndërtimeve gjenden në këtë proces.

Në zonat bregdetare do lejoni ndërtimet?

Në qarkun tonë veç Divjakës që ka pasur infrastrukturë, kemi disa ndërtime që janë të pakta, p.sh në Seman, Pishporo nuk ka pasur infrastrukturë dhe nuk kemi popullim të zonave me ndërtime pa leje. Deri sot kemi shumë pak

Urdhrat e dhëna nga shefi juaj ditët e fundit cilat kanë qenë?

Kuptohet se në çdo mbledhje pasi bëhet raportimi kërkohet intensitet që ky proces të mbarojë shpejt, pasi ne do të mbartim dhe probleme të tjera.

Bisedoi: Aurora Damini

Sipas kryepërmbaruesit, Halit Cani, ALUIZNI dosje për toka të kthyera ish-pronarëve

Përmbaruesit: Jemi në hall me institucionet shtetërore

ELBASAN-Zyra e Përmbarimit në Elbasan ka deklaruar gjatë mbledhjes së prefektit se ka një sërë përplasjesh me institucionet për zbatimin e vendimeve të gjykatës. Kryepërmbaruesi i Elbasanit, Halit Cani, tha se një problem i madh po haset me zyrën e Legalizimit. “Agjencia e Legalizimit vazhdon procedurat për objekte që u janë kthyer pronarëve të ligjshëm me vendime gjyqësore të formës së prerë para daljes së ligjit për legalizimet me arsyetimin se ligji nuk ndalon dhe lejon duke u deklaruara hapur kundër zbatimit të vendimeve gjyqësore”. Sipas tij, janë disa raste të tilla ku vendimet pengohen të ekzekutohen me këtë pretendim. Cani kërkoi ndërhyrjen e institucioneve më të larta për një zgjidhje ligjore. Ai tha se kryesisht me iniciativën e Gjykatës së Lartë mund të pezullohen vendimet gjyqësore derisa të shprehet ALUIZNI ose edhe ndonjë nismë tjetër parlamentare kushtetuese që mund të zgjidhë këtë ngërç. Ai gjithashtu shtoi se problematik vazhdon të mbetet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në institucionet buxhetore, të cilat zvarrisin procesin. Sipas tij, peshën më të madhe të vendimeve për ekzekutim e zë shteti, kreditor me 529 çështje dhe gjobat penale, ku kryesisht subjekti kreditor është Prokuroria. Cani deklaroi se pritet gjithashtu dy udhëzime që duhet të dalin nga Këshilli i Ministrave për rregullat e zhvillimit të ankandit, si dhe rregullat për vënien e masës së sekuestros në degën e thesarit. Sipas Canit, numri i çështjeve të trajtuara në Përmbarim ka ardhur duke u rritur me rreth 21% sidomos tre muajt e fundit. Zyra e Përmbarimit në Elbasan ka gjithsej dy zyra dhe 7 përmbarues. Sipas Canit, ngarkesa vazhdon të jetë e madhe. Kështu kjo zyrë ka në ekzekutim rreth 912 çështje për pension ushqimor pas divorceve. Prefekti i Elbasanit deklaroi se do të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve të Përmbarimit me institucionet shtetërore. Ai tha se Përmbarimi do jetë pjesë e mbledhjeve të prefektit duke qenë një strukturë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. L. Lleshi

ALUIZNI, nuk shlyhen tarifat

Banorët janë indiferentë

në legalizimin e pronës

DURRES- Drejtoria e ALUIZNI-t në Durrës ka qortuar indiferentizmin e qytetarëve, të cilët kanë manifestuar pak apo aspak interesim për të legalizuar pronën e tyre. Edhe pse janë më shumë se 5 mijë dosje që kanë përfunduar të gjithë rrugën e këtij procesi, fare pak familje kanë nisur të paguajnë detyrimin. “Nëse ky kontingjent qytetarë do të paguajë shumën e lekëve që detyrohet atëherë mund të pohojmë se gjithçka po ecën mirë por deri tani vërejmë indiferentizëm”,-ka thënë drejtori Andi Lila. Janë 7300 objekte që kanë kaluar procesin e pronësisë me VKM, ndërkohë që kanë paguar faturën e shërbimit 15 mijë familje. Çështja ka ngecur në arkëtimin e taksës për tokën e zënë dhe sipërfaqen e ndërtimit. Gjithnjë sipas pohimeve që vinë nga ALUIZNI rënia e dëshirës për të përfunduar procesin është provokuar edhe nga propaganda që nuk janë të burimit zyrtar. “ALUIZNI ka ecur me ritmet e duhura në detyrimin e përcaktuar për zbatimin e procesit, por nga ana tjetër vërejmë mosinteresim nga ana aplikantëve”,-ka thënë Lila. Taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e shërbimit është paguar nga shumë familje, ndërsa ata kanë “refuzuar” pagesën e kësteve për t’i dhënë fund përkatësisë së pronës. Kjo drejtori ka përfunduar digjitalizimin e 9 mijë objekteve në Kënetë dhe 1100 objekte në zonën e Shkozet 1. Të gjitha këto objekte që në më se 98 për qind e tyre janë shtëpi banimi tashmë presin vetëm pagesën për të kaluar më pas në zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. ALUIZNI ka regjistruar në terren 18 400 objekte si shtëpi banimi, lokale shërbimi, garazhe dhe objekte me karakter administrativ, kulturor e shëndetësor. “Banorët janë indiferent dhe kjo vërehet në pagesën e detyrimeve”,-ka pohuar Lila. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›