E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malltezi: Rezart Taçi nuk ka qenë klient tek unë

09/11/2009  Studioja ligjore sqaron shkrimet e publikuara prej Mero Bazes

Në një deklaratë të dhënë dje për mediet Argita Malltezi ka kundërshtuar shkrimet në medie, të cilat kanë theksuar se Rezart Taçi ka qenë klient i studios së saj ligjore. Malltezi sqaron “me përgjegjësi të plotë se Rezart Taçi në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk ka qenë klient i studios sime. Jam e hapur ti përgjigjem çdokujt që pretendon se ka prova për të kundërtën”. Në këtë mënyrë Malltezi, vajza e kryeministrit Berisha, ka përgënjeshtruar shkrimet që e kanë përfshirë studion e saj ligjore në procedurën e shitjes së ARMO-s apo të marrëdhënieve të tjera tregtare të “Taçi Oil”. Në deklaratën e dhënë Malltezi kundërshton shkrimet e gazetarit Mero Baze, duke i cilësuar të pavërteta. Ndërsa në lidhje me dhunimin e Bazes prej Rezart Taçit ajo shton: “Gjej rastin të shpreh keqardhjen e thellë dhe ti uroj shërim zotit Baze si dhe të dënoj ashpër dhunën ndaj tij dhe cilitdo gazetari tjetër, si një akt absolutisht të papranueshëm dhe që lëndon mbarë shoqërinë”. Në këtë mënyrë Malltezi është renditur në krah të personaliteteve të politikës dhe të medies, që e kanë dënuar dhunimin e gazetarit si dhe kanë kërkuar ndëshkimin e autorëve.

Ndërkohë Malltezi në kundërpërgjigjen ndaj shkrimeve që janë bërë ndaj saj thekson se më parë Mero Baze ka qenë klient i zyrës së saj dhe se është larguar pas nisjes së një marrëveshjeje tregtare, e cila u kundërshtua nga zyra ligjore. “Në fakt, e vërteta është se Mero Baze ka qenë klient i studios sime deri në kohën kur studioja i refuzoi të përpilonte sipas kërkesave të tij një praktikë për rimarrjen pa shpërblim të gazetës Tema, të cilën ai më parë e kishte shitur me një çmim qindramilionësh. Kur ne i bëmë të qartë se një praktikë e tille binte erë pastrimi parash, zoti Baze vendosi të mos ishte më klient i studios sonë dhe nisi serinë e tij të shpifjeve”, - thuhet në deklaratë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›