E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pensionistët në Vlorë, ende nuk kanë marrë shpërblimin e Vitit të Ri

06/02/2005  Radhë të gjata para sporteleve të Postës

VLORË – Pensionistët në Vlorë vazhdojnë të mos marrin shpërblimin e premtuar nga qeveria për festat e fundvitit që sapo iku. Ndërsa vazhdojnë radhët e gjata, vazhdon edhe mosmarrja e shpërblimeve nga ana e pensionistëve vlonjatë në qytetin e Vlorës. E njëjta situatë është edhe në fshatrat e këtij rrethi.

Edhe pse nga qeveria u lajmërua për një kuotë shpërblimi në ndihmë të pensionistëve, ata deri më tani janë sorollatur nëpër banka e posta pa mundur dot të marrin shumën prej 35000 lekë (të vjetra). Prej disa ditësh postat e qytetit janë bërë vend ku pensionistët zënë radhën, në pritje të daljes së emrit të tyre për të përfituar shpërblimin që qeveria ua premtoi në fundvitin e kaluar.

Një prej pensionistëve, Abaz Zotaj, pohon se “është në radhë prej 2 ditësh dhe ende nuk ka marrë paratë që premtoi qeveria. Në shumicën e rasteve, sportelistet na thonë që nuk ka para mjaftueshëm dhe marrin vetëm një pakicë pensionistësh”.

Krahas këtyre pengesave, pesnionet e tyre të përmuajshme nuk i kanë marrë ende invalidët e punës e të luftës. Në të njëjtat sportele të postës jepen edhe këto pensione, por çuditërisht ato ende nuk janë shpërndarë. Sportelistët u përsërisin të njëjtën fjali pensionistëve, që ende nuk ka ardhur fondi për pensionet dhe se duhet të kthehen të nesërmen. Kjo ka sjellë mjaft probleme përreth 1000 invalidët e punës, që përfitojnë një pesnoin prej 66000 lekë (të vjetra).

Njëra prej sportelistve në lagjen Çole pohoi se “këto pensione janë të mbartura prej disa muajsh, kur pati një rritje nga ana e qeverisë për pensionistët, por edhe pensioni i muajit dhjetor, janar ende nuk është marrë, çka na ka vështirësuar edhe ne punën, pasi lekët na premtohen çdo ditë e në fakt nuk vijnë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›