E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionistët të pakënaqur me rritjet e deklaruara

24/06/2009  Pretendojnë se janë hequr nga lista e rimbusimit barnat më cilësore

Gorica: Rritja reale e pensioneve vetëm 3 për qind

Pensionistët mbeten të pakënaqur me shtesën e miratuar nga qeveria për pagesat mujore që përfitojnë. Madje, sipas tyre, rritjet e përcaktuara rezultojnë të jenë tepër të pandjeshme kundrejt pagesave që kjo kategori duhet të derdhë për marrjen e shërbimeve jetësore. Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica, në një prononcim të dhënë gjatë ditës së djeshme ka kundërshtuar shifrat e rritjes së pensioneve të deklaruara nga qeveria, teksa ka pohuar se edhe lista e barnave falas me të cilën trajtohet kjo shtresë është shoqëruar me ndryshime negative në kurriz të tyre. Sipas Goricës, shtesat e miratuara në pagesën mujore që ata përfitojnë në të vërtetë nuk është 70 deri në 100 për qind, ashtu siç pretendohet nga institucionet qeveritare, por dhjetëra herë më e ulët. Bazuar në shpenzimet me të cilat përballet çdo ditë kjo shtresë për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit, rritja reale e bërë për pensionet, sipas kësaj sindikate, nuk përkon me më shumë se 3 për qind e pagesës aktuale që tërheqin çdo muaj. Ndërkohë një tjetër pikë që ka rritur pakënaqësinë e pensionistëve në lidhje me ndryshimet e bëra është edhe vendimet e pasqyruara në listën e barnave të rimbusrimit të 2009-s. Përkundrejt ndryshimeve të bëra pensionistët pretendojnë se lista është cenuar pasi nga ajo janë hequr një numër i konsiderueshëm ilaçesh cilësore që janë të domosdoshme për këtë kategori. Konkretisht, Sindikata e Pensionistëve pretendon se nga rimbursimi janë hequr ilaçe cilësore, çka e rrit me 6 milionë dollarë shumën që pensionistët në të gjithë vendin paguajnë për sigurimin e tyre në mënyrë private. Sindikata kërkon edhe një herë tjetër vëmendjen e institucioneve përkatëse në mbështetjen e kësaj shtrese, veçanërisht në sigurimin e barnave që janë tepër të shtrenjta për t’u gjetur në rrugë private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›