Topi dhe Berisha takojnë të dërguarin e OKB-së
Raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut për vrasjet jashtëgjyqësore, Filip Alston, gjatë takimeve që zhvilloi dje me krerët e lartë të vendit, foli në lidhje me nevojën e zbardhjeve të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Gjatë një takimi paraditen e djeshme me Kryeministrin Berisha, Alston theksoi se transparencë e plotë duhet të kryhet edhe për aktorët të cilët kanë ekzekutuar viktima të pafajshme gjatë atyre viteve.
“Shqipëria duhet t’i zbardhë të gjitha krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet dhe aktorët”, theksoi raporteri i OKB-së. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha e njohu Alston edhe me iniciativat e qeverisë për krijimin e institutit për krimet e komunizmit dhe ngritjen e Task Forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit. Po kështu Alston e vlerësoi Shqipërinë si një ndër vendet me më pak probleme për sa i përket numrit të vrasjeve jashtëgjyqësore, duke theksuar se Shqipëria lë pas edhe shumë vende të zhvilluara në këtë drejtim. Sipas tij, në vend ekziston kuadri i plotë ligjor për krimet ndaj jetës së njeriut, si dhe vendosmërinë dhe rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore, përfshi edhe rastet e krimeve për arsye të hakmarrjes, por edhe ndaj krimeve të tjera, siç janë dhuna në familje. Nga ana e tij, Berisha i bëri të ditur Alston se si pasojë e kësaj lufte të vendosur, treguesit e indeksit të krimit në Shqipëri janë më të ulëtit se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Po kështu, raporteri i OKB-së u prit dje edhe nga Presidenti Topi. Gjatë fjalës së tij, Topi vuri në dukje se Shqipëria po bën përpjekje serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve negative si trafikimi i qenieve njerëzore dhe gjakmarrja apo dhuna në familje, duke pasur këtu edhe mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të posaçme dhe misioneve të specializuara ndërkombëtare. Nga ana e tij, Alston vlerësoi përparimin e bërë këto vite në vendin tonë dhe ndryshimet e dukshme pozitive që kanë ardhur në jetën e qytetarëve shqiptarë si dhe për sa u përket transformimeve demokratike dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
#