E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimet në autostradë, dy banesa të shkatërruara

NDËRTIMET/ Teksa kryhen punimet për autostradën, vazhdojnë problemet me banorët e rrugës

MIRDITË - Shpërthimet në autostradë kanë sjellë dëmtime të mëdha në dy ndërtesa banimi në fshatin Zall-Xuxhë të komunës së Fanit, aq sa banimi i mëtejshëm i familjarëve në to është bërë i rrezikshëm.


Familja Biba është mbledhur e tëra në një dhomë, ku mund të gjejnë pak metra katrorë ku nuk futet shiu, ndërkohë që dhomat e tjera janë të tëra të pabanueshme. Një nga familjarët, Frrok Biba, thotë për "Shekulli"-n se shpërthimet masive kanë bërë që sasi të mëdha gurësh nga shkëmbenjtë e thërrmuar prej plasjeve të fuqishme të bien mbi shtëpi.


Ai thotë se e la punën në Greqi për të ardhur tek familja, pasi e telefonuan dhe i thanë se shtëpia po shkatërrohej dhe se gurët kishin depërtuar deri afër krevatit ku flinte vajza e tij 6-vjçare. "Nuk e besova deri kur e pashë vetë me sytë e mi, - thotë Frroku. - Ndaj kam marrë nënën 84-vjçare për ta dërguar tek motra që jeton në një fshat tjetër. Po aty dërgova dhe motrën që e kam të sëmurë. Ndërsa pjesëtarë të tjerë të familjes i kam dërguar në një shtëpi të marrë me qira në qendër të komunës Fan, ku të paktën nuk iu rrezikohet jeta".

Ai thotë se shtëpia është e mbushur e gjitha me gurë në çati e ujë nëpër dhoma dhe se kanë frikë të hyjnë për të rregulluar diçka që në atë banesë të jetohet. Shpërthimi që solli këtë gjendje ndodhi më 28 dhjetor të vitit të kaluar. "E keqja është se kjo shtëpi nuk është listuar për t'u shpronësuar, por duhej të rregullohej gjithçka e prishur dhe të më sigurohej jeta aty, - thotë Frrok Biba, i cili dëshmon se, edhe pse prej një muaji po sorollatet lart e poshtë nëpër Tiranë e Fan, askush nuk i jep përgjigje. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve e kanë drejtuar për tek firma ndërtuese "Bechtel-Enka" që i ka bërë dëmin.


"Por këta të fundit nuk mund t'i takoj dhe askush nuk po më përgjigjet për dëmin e bërë, - thotë ai, duke kërkuar që personat përgjegjës t'ia restaurojnë shtëpinë sipas dëmit të kryer.

Ndërkaq, të pyetur lidhur me këtë familje, përfaqësues të firmës ndërtuese shprehen se janë në dijeni të ngjarjes dhe se u kanë siguruar këtyre banorëve një ambient me qira deri në momentin e përfundimit të shpërthimeve. Më pas, sipas përfaqësuesve, ata do të dëmshpërblehen për dëmet që u janë shkaktuar në banesë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›