Pogradec, peshkohet një kokë njeriu
RRËFIMI/ Peshkatari Jonus Likollari rrëfen se gjeti një kokë njeriu me flokë të zinj teksa peshkonte pllasica
Gjetja e një koke në liqenin e Pogradecit ndodh për herë të dytë pas asaj të vitit 2003, ende e paidentifikuar
POGRADEC - Ka vendosur që të mos tregojë për kafkën e gjetur në liqen në rrjetat e tij të peshkimit para pak ditësh, por e ka "tradhtuar" gjendja e rëndë shpirtërore, e cila i ka vjedhur gjumin dhe i ka sjellë shqetësime të shumta kardiake.
Si rrjedhojë, 51-vjçari Jonus Likollari ka kërkuar ndihmë nga mjekët e spitalit. Para tyre ai ka rrëfyer se pak ditë më parë, teksa ka qenë për peshkim, në rrjetën e tij midis peshqve të kapur ka gjetur edhe një kokë njeriu me flokë të zeza. Për një gjë të tillë ai ka bërë edhe denoncimin në polici
Rrëfimi
Jonus Likollari, banor në fshatin Piskupat tregon ngjarjen për gazetën "Shekulli": Ishte një ditë e ftohtë me dallgë në liqen dhe unë u futa për të gjuajtur pllasica (peshk i vogël). Nuk isha më shumë se 150 metra larg nga bregu, sepse kjo gjueti nuk kryhet në thellësi të madhe dhe po tërhiqja rrjetat e peshkimit në varkë.
Por, teksa ngrita rrjetën e peshkimit, midis peshqve të kapur dallova një kokë njeriu me flokë të zeza. Shtanga. E kisha kapur në dorë, por frika më bëri që ta lëshoja sapo kuptova ç'ishte. Dola nga liqeni dhe shkova në shtëpi shumë i tronditur.
Qëndrova dy ditë pa gjumë nga trauma që pësova dhe dje vendosa të kërkoj ndihmën e mjekëve". Më pas, Jonusi tregon vendin në afërsi të fshatit të tij Piskupat, ku ai gjeti kokën. Ai thotë se ajo duhet të jetë zhvendosur tashmë, pasi liqeni kishte shumë dallgë.
Precedenti
Ishte data 20 shtator e vitit 2003 kur peshkatari Siri Merko gjeti në rrjetat e peshkimit në afërsi të molit të qytetit një kafkë. U njoftua policia, e cila filloi hetimet për të bërë ekzaminimet përkatëse.
Kafka e gjetur atëherë nuk dihet kujt i përket, ndërsa ndodhet në frigoriferin e kriminalistikës. Asaj i mungon nofulla e djathtë. Gjetja krijoi vetëm mister, ndërsa të afërm të viktimave qëndruan me ditë të tëra para komisariatit për të mësuar se kujt i përkiste. Tashmë, me gjetjen e kësaj koke, shtohen më tepër pikëpyetjet se sa të tilla mund të "pushojnë" në liqen.
Raste tragjedie në liqen
Në liqenin e Pogradecit ka pasur shumë tragjedi dhe shumë peshkatarë apo gjuetarë amatorë kanë humbur jetën dhe nuk janë gjetur. Rasti i fundit është ai i 50-vjçarit Dilaver Maxhari, i cili u zhduk para një viti së bashku me varkën e tij.
Ndërkaq, në vitin 1994, në liqen u mbytën tre shokë, të cilët kishin qenë në gjimnaz në një klasë: mjeku Gjergji Topalli, doganieri Qazim Zgjani dhe inxhinieri i ndërtimit Koço Ruvina. Edhe nga ata nuk u gjet asnjë gjurmë.
Dy vjet më pas, humbi jetën në gjuetinë e peshkimit mësuesi i historisë në gjimnazin e qytetit, "Kozma Burnazi", dhe trupi i tij ngeli në liqen. Pas tij, dy djem nga fshatit Lin, studenti Erion Biçe dhe nxënësi i gjimnazit Klarent Qyshko, u zhdukën në liqen teksa peshkonin. Po në të njëjtën natë u mbyt një shtetas maqedonas.