Peqin, Mediu: Kemi hedhur hapin për në BE
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, vijoi takimet me banorët e Peqinit, nga ku kërkoi votën për koalicionin e djathtë, pasi sipas tij, kjo mazhorancë ka hedhur hapin e sigurte edhe për në Bashkimin Evropian. Sipas tij, në këto katër vite u bë e mundur që të realizoheshin reforma të mëdha që transformuan vendin. “Gjatë mandatit tonë të dytë, ne do të kërkojmë me ngulm zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës, pasi është detyrimi ynë i parë dhe i përhershëm si republikanë përballë së drejtës. Duke votuar Partinë Republikane ne do të sigurojmë një mandat të dytë për të ardhmen tonë dhe projektet tona të përbashkëta, për standarde evropiane, për reforma të tjera të suksesshme, për investime të tjera në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe çdo sektor tjetër të rëndësishëm. Për një jetë dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë shqiptarët, “për Shqipërinë që duam”. Me punë dhe së bashku, ashtu si ja dolëm këto katër vite, ashtu siç arritëm të anëtarësoheshim në NATO, ashtu së bashku, do të vijojmë edhe mandatin e dytë. Sepse vetëm me punë dhe bashkëpunim mund të arrijmë çdo gjë të mundur”, - tha Mediu. Kryetari i PR-së tha më tej se Kryeministri Berisha bëri të mundur që vendi të anëtarësohet në aleancën më të rëndësishme në botë, NATO. “4 prilli për mua ka qenë ditë e madhe, kur puna, reformat dhe suksesi ynë i përbashkët u finalizua kur Kryeministri im, juaji, Kryeministri i republikanëve, demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve u ul në një tryezë me vendet e tjera të mëdha, pjesë e Aleancës”, - deklaroi Mediu në Peqin.