“Për 300 mijë vende pune, duhet një rritje ekonomike mesatare prej 10% çdo vit”

Deputetja e PD, Jorida Tabaku
Deputetja që ngjitet për herë të parë në Kuvend, Jorida Tabaku ka rreshtuar një sërë pyetjesh për programin e qeverisë Rama. Sipas Tabakut, "fjalimi i Ramës në parlament ishte një shikim shumë i keq i situatës ku ndodhet Shqipëria, fjalimi kishte shumë fjalë dhe aspak vizion, kjo është mangësia e parë e programit. E vetmja gjë e mirë është përbaltja që po i bën punëve të mirë që ka bërë qeveria”. Më tej deputetja e PD, Jorida Tabaku theksoi se, kryefjala e programit të qeverise së re është mungesa e një vizioni, mungesa e një vizioni për të drejtuar, paaftësi për të projektuar dhe ndërtuar një model të ri ekonomik. “E vetmja pjesë ku shfaqet aftësi dhe profesionalizëm është përbaltja dhe mohimi i cdo gjëje të mirë që është bërë në këtë vend në 8 vjet, për të cilat sot ne jemi krenarë”, theksoi ajo. Ndër të tjera, zonja Tabaku vuri në dukje se, “Deklarohet një rritje ekonomike për Shqipërinë prej 1.5 % deri në maksimumi 1.8 përqind dhe parashikoni të njëjtat shifra dhe për 2013 dhe tendencë për 2014? A e dini se për të krijuar 300 000 vende pune, duhet një rritje ekonomike mesatare prej 10% çdo vit? Si do të rritet ekonomia? Kush janë faktorët që do sigurojnë”. Deputetja Tabaku kërkoi përgjigje nga qeveria Rama për një sërë pyetjesh. “Po çfarë parashikon program i kryeministrit te mandatuar për rritjen ekonomike? As vetë qeveria nuk e di, pasi në program thuhet që ata, pra qeveria: “do të gjejmë e identifikojmë burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike”, (faqe 28 e programit)! Nuk e di se sa duhet të presim, deri sa të gjenden burimet e rritjes por të gjithë politikat buxhetore; shëndetësi falas, mbështeje për bujqësinë, për mjedisin, për arsimin, për të varfrit, për pronarët, për ish të përndjekurit kërkojnë para dhe paratë duhet të vijnë nga rritja ekonomike edhe pse biznesi do paguajë më shumë taksa”, theksoi ajo. Tabaku u shpreh se "këtyre pyetjeve nuk u përgjigjet dot as vetë hartuesi i programit, disa nuk e njohin fare shtetin prandaj dhe programi është plot mangësi”. Në fund të fjalimit të saj, deputetja e PD, Tabaku nënvizoi se, Kryeministri i mandatuar, i sigurt në dështimin e tij, si me çdo projekt të ndërmarrë deri më sot, ka nisur të përgatitet për justifikimin e mos realizimit të programit të dëshirave të tij. Sipas saj, edhe politikë taksave, bie ndesh me qëllimin për një rritje ekonomike të lartë. “Propozohet mbështetje për biznesin e vogël e të mesëm, mbështetje që deri më tani ka qenë thelbësore edhe në sajë të reformave që janë bërë, për reduktimin e barrierave të të bërit biznes. Sot, Shqipëria ka ndër mjediset më miqësore në rajon. Propozohet dhe heqja e taksës së biznesit të vogël dhe reduktimi i tatimit mbi fitimin, ndërkohë që është propozuar gjatë fushatës taksa zero për biznesin e vogël, brenda 100 ditëve të para”, përfundoi ajo.