E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për 6 muaj 235 divorce

20/07/2009  Arrin kulmin numri i ndarjeve në Fier. Sociologët: Pasoja më e rëndë te fëmijët

Ka arritur në nivelet “rekord” numri i çifteve të ndara në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, për 6-mujorin e parë të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare marrë nga kjo gjykatë numri i çifteve të divorcuara shkon në 235 për 6-mujorin e parë të vitit 2009, çka shënon një shifër shumë të madhe krahasuar me një vit më parë, ose disa vjet më parë. Sipas kancelares së kësaj gjykate, Flora Zoto, numri prej 235 divorcesh për 6-mujorin është gati i barabartë me numrin gjithsej të divorceve të vitit 2008, çka dëshmon për një shkatërrim të familjeve fierake. Vetëm 70% e tyre kanë mundur të zgjidhen plotësisht me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, ndërkohë që pjesa tjetër është pushuar ose vazhdon gjykimi. Vitin e kaluar kanë qenë gjithsej 390 divorce, çka tregon një shifër tepër të lartë të zgjidhjeve të martesave të familjeve fierake. Gjithsesi këtë vit pritet që numri të jetë edhe më i lartë pasi jemi ende në mesin e tij, ndërsa deri në dhjetor nëse do të jetë e njëjta situatë numri i divorceve do të dyfishohet.

Alarmi

Shifrat janë tronditëse pasi ky fenomen vjen duke u shtuar nga viti në vit, duke shtuar në shpërbërje të familjeve në rrethin e Fierit, por duke shtuar edhe numrin e fëmijëve të mbetur jetim. Rreth 50% e divorceve janë nga familjet e reja me një ose 2 fëmijë, ndërkohë që motivet e divorcit kanë qenë sërish çështjet e nivelit të ulët ekonomik, papunësia e njërit prej bashkëshortëve, emigracioni etj.

Reagimi

Nga ana tjetër sociologët si dhe punonjësit social kërkojnë nga prindërit të jenë më të kujdesshëm në iniciativën që marrin për ndarjen. Kjo pasi pavarësisht qetësimit të tyre janë fëmijët që marrin një rrugë pa krye. Ndërsa shpesh është parë dhe braktisja përfundimtare e fëmijëve në jetimore. Një kosto shumë të lartë të këtyre divorceve e mbajnë fëmijët, të cilët do të ndjejnë një boshllëk të pazëvendësueshëm të mungesës së njërit prej prindërve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›