E Diel, 1 Nëntor 2026

Për 6 muaj komunat realizuan vetëm 28% të projekteve

Bazuar në statistikat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) komunat kosovare në gjysmën e parë të këtij viti kanë realizuar vetëm 28 për qind të projekteve kapitale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre. Në krahasim me shpenzimet buxhetore, komunat kosovare qëndrojnë më mirë sa i përket inkasimit të të hyrave vetanake, pasi që për gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë inkasuar më tepër se gjysmën e tatimeve të planifikuara.

Buxheti për komunat e Kosovës gjatë vitit 2009 ishte planifikuar të jetë 243 milionë euro. Në gjashtëmujorin e parë komunat kanë shpenzuar 102 milionë euro.

Lumnije Demi, zëdhënëse MAPL tha për KosovaLive se nga totali i buxhetit për komunat e Kosovës në vlerë prej 243 milionë euro, 206 milionë janë grante nga niveli qendror, ndërsa të hyrat vetanake nga komunat kosovare arrijnë shifrën 37 milionë euro.

Zyrtarja e MAPL-së tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti niveli i shpenzimeve kapitale në nivelin lokal është rreth 22.5 milionë euro, ose 28 % e shpenzimeve të parapara kapitale për vitin 2009.

Sipas të dhënave të MAPL-së, nga 37 milionë euro të planifikuara që të inkasohen nga komunat kosovare, mbi 20 milionë euro, ose 54 % janë mbledhur në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

MAPL paralajmëroi se në fillim të muajit gusht do të publikohet raporti i monitorimit të komunave dhe ai do të jetë raport zyrtar i funksionimit të komunave ku do të pasqyrohet puna e komunave.

Ministria e Pushtetit Lokal ka vërejtje tek komunat kosovare për shkak të nivelit të ulët të realizimit të projekteve të përbashkëta në interes të qytetarëve të Kosovës. Nëse do të kishte një bashkëpunim të mirëfilltë komunal, gjithsesi edhe projektet zhvillimore do të ishin më shumta.

Nëse krahasohen të dhënat me vendet e rajonit, buxheti i ndarë për nivelin lokal në Kosovë është më i ultë në krahasim me vendet e rajonit dhe si i tillë nuk i plotëson nevojat në mënyrën e duhur për nivelin lokal. Gati 80 për qind e buxhetit të komunave varet nga grantet qeveritare, prandaj sipas zyrtares Demi, nuk mund të bëhen krahasime me rajonin, sepse dallon mënyra e organizimit të qeverisjes lokale me vendet e rajoni.

Ajo tha se për dallim nga vendet e rajonit Kosova ka vetëm dy nivele të qeverisjes, nivelin qendror dhe nivelin lokal, kurse shumica e vendeve të rajonit kanë edhe nivelin e mesëm të qeverisjes (regjional). /KosovaLive/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›