E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithë në Berlin

Burrështetasit botërorë, si ata aktual ashtu edhe ata të dikurshëm, ju bashkuan sot gjermanëve në kremtimin e 20 vjetorit të shembjes së murit të Berlinit, simbolit të Luftës së Ftohtë, i cili ndau qytetin dhe gjithë Europën.

Shkrimet për ngjarjet e 9 nëntorit të vitit 1989 dominuan në pothuajse të gjitha gazetat gjermane, e edhe programet e televizioneve ishin të mbushura përplot me filma dokumentar dhe reportazhe për këtë ngjarje historike, e cila ndryshoi pamjen e Europës.

Personalitetet e rëndësishme nga ajo periudhë, të cilat përshpejtuan rënien e komunizmit në Europë, siç ishin ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe Lech Valesa, i cili kryesoi protestat anti-komuniste në Europë, morën pjesë në ceremonitë komemorative, të cilat u organizuan sot në Berlin.

Atyre ju bashkuan edhe udhëheqësit e shteteve, të cilat okupuan Gjermaninë e pasluftës, përjashtuar këtu SHBA-në, e cila u përfaqësua nga Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.

Kryeministri i Britanisë, Gordon Brown, presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy dhe ai i Rusisë, Dimitri Medvedev, morën pjesë në kremten, nikoqire e së cilës ishte kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel.

Me mijëra turistë vërshuan sot rrugët e Berlinit, për të shënuar këtë ngjarje, e cila përshpejtoi bashkimin e Gjermanisë, rënien e perdes së hekurt dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Merkel, e cila në momentin kur ra muri ka punuar si shkencëtare në Gjermaninë Lindore, theksoi se shembja e murit ishte dita më e lumtur në historinë më të re të Gjermanisë.
E tronditur nga arratija e qytetarëve të vet në Berlinin Perëndimor kapitalist, qeveria e Gjermanisë Lindore komuniste filloi të ndërtojë murin mbrojtës anti-fashist më 13 gusht të vitit 1961.

Sipas një studimi të publikuar këtë vit, së paku 136 persona janë vrarë gjatë përpjekjeve për ta kaluar vitin, në periudhën nga viti 1961 deri në vitin 1989.

Sidoqoftë, me mijëra të tjerë arritën ti anashkalojnë fushat e minuara dhe rojtarët e armatosur, gjatë përpjekjeve të tyre për të kaluar në perëndim.

Ish-kancelari i Gjermanisë, Helmut Schmidt, i cili ka kryesuar Gjermaninë nga viti 1974 deri në vitin 1982, theksoi se ka qenë tejet i emocionuar në momentin kur ra muri.
Unë gjithmonë e kam ditur se ne një ditë në Europë do të kemi mundësi që të ribashkojmë dy shtetet gjermane, të dala pas përfundimit të luftës, por kurrë nuk kam besuar se do të jetojë aq gjatë, sa ta përjetoj këtë ditë, tha Schmidt.

Sekretarja Clinton uroi gjermanët me rastin e 20 vjetorit të shembjes së murit, gjatë takimit që pati sot me Merkelin.

Jam e lumtur që gjendem sot këtu në Berlin, një qytet i cili ka një domethënie aq të madhe jo vetëm për gjermanët, por gjithashtu edhe për europianët, për amerikanët dhe për gjithë botën. E uroj kancelarin, jo vetëm për këtë datë historike, por edhe për punën që po bën ajo dhe qeveria e saj. Kam nderin që përfaqësoj sot këtu SHBA-në, tha Clinton.

Ajo më tutje theksoi se duhet të forcohet shpirti i shkatërrimit të murit.

Kemi nevojë për partneritet edhe më të fuqishëm, për të rrënuar muret e shekullit të 21-të dhe të përballemi me ata, të cilët fshehën pas këtyre mureve: sulmuesit vetëvrasës, udhëheqësit, të cilët më shumë janë të interesuar për fatin e tyre, se sa për fatin e popujve të tyre, nënvizoi Clinton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›