E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Man Utd, Wembley më afër

Manchester United po shkon sigurt drejt finales së Ligës së Kampionëve. ‘Djajtë e Kuq’ fituan me plot meritë ndaj Schalkes 2:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Gjermani. Ryan Giggs dhe Wayne Rooney e afruan gjigantin anglez me stadiumin Wembley, ku do të luhet finalja këtë sezon. Nga Express më 26 prill 2011 në ora 22:52

Manchester United e ka bërë një hap të madh drejt finales së Wembleyt pasi e mposhti Schalken me rezultat 2:0, në ndeshjen e parë gjysmëfinale, e cila u zhvillua të martën mbrëma në Gjermani.

‘Djajtë e Kuq’ e kanë thënë fjalën kryesore në fushë, duke shënuar fitore mjaft të lehtë.

Epërsia e tyre ka mundur të jetë edhe më e lartë, por për të mos ndodhur kjo u përkujdes portieri vendës Manuel Neuer.

Djelmoshat e Sir Alex Ferguson kanë krijuar disa raste të mira në pjesën e parë, por nuk ia dolën të shënonin. Dominimi i tyre në fushë është shpërblyer në pjesën e dytë.

Goli i parë ka arritur në minutën e 67-të nga veterani Ryan Giggs, i cili e shfrytëzoi për mrekulli një asistim të Wayne Rooneyt.

Nuk kaluan mirë as dy minuta dhe gjiganti anglez e dyfishoi rezultatin. Një top i mirë nga Javier Hernandez (Chicharito) u shndërrua në gol nga Rooney. Pas shënimit të këtyre golave, ekipi gjerman kapitulloi dhe u dorëzua tërësisht.

Schalke nuk e pati ditën e vetë pasi nuk u tregua pothuajse fare e rrezikshme, siç veproi në çerekfinale ndaj kampionit të Evropës, Inter, ndaj së cilit shënonte 7 gola.

Kjo fitore i jep komoditet të madh Manchesterit, i cili në ndeshjen e kthimit do të ketë kapital prej dy golash. Pa dyshim, ky rezultat e afron Man Utd shumë më tepër drejt finales së Ligës së Kampionëve, por natyrisht, për t’u konfirmuar kjo, duhet pritur edhe lojën e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave.

Liga e Kampionëve

Gjysmëfinalja
Schalke – Manchester United 0:2

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›