E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për ca mësues pa mastera do më bjerë infarkt kur të dalin në pension”

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Mësuesit e gjimnazeve nuk mund të japin mësim vetëm me diplomat. Ata duhet të kryejnë studime pasuniversitare, si kusht për të mbajtur vendin e punës ose për të fituar vendin e punës. Këtë kriter e ka parashikuar drafti i ri që po punon Ministria e Arsimit. Sipas draftit, mësuesi i gjimnazit dhe i çdo shkolle të mesme profesionale, veç diplomës universitare duhet të zotërojë edhe kualifikimin master , si në rastin kur është diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar, edhe kur ka kryer tri vjet studime sipas Kartës së Bolonjës. Me këtë pretendohet një riformatim i cilësisë së mësimdhënies në shkollat e mesme. Por ndërsa flet për kriterin “master” si detyrim, drafti parashikon gjithashtu, që në vitet e para të shkollave të mesme të japin mësim mësuesit që kanë kualifikimet më të ulëta krahas diplomës universitare, në vitet e dyta mësuesit me master dhe në vitet e treta ata që kanë kualifikimet më të larta. Ky moment i draftit do të përkthehej kështu: Mësuesit me mastera janë më të mirë, se ata me kualifikime më të ulëta, por janë më pak të mirë se ata me kualifikime më të larta. (Konkluzioni buron në faktin, se maturantët u besohen mësuesve më me përvojë e kualifikime). Pra, nga vetë përmbajtja e draftit buron mendimi, se nuk e bën masteri mësuesin më të mirë. Për këtë arsye, vetë drafti ka kundërshti në vetvete.
Sidoqoftë, gjithçka është ende draft dhe derisa të marrë formë ligjore, specialistët e MASH thonë se mirëpresin sugjerimet e grupeve të interesit. Meqenëse kjo është koha më e përshtatshme për të folur për këtë pjesë të reformës në arsim, gazeta ka kontaktuar me mësues e drejtues të gjimnazeve të kryeqytetit për të vjelur mendimet e tyre. Madje, përveç kësaj, “Ballkan” ka kërkuar kontakt me Ministrinë nëpërmjet zyrës së shtypit për të sqaruar shumë pyetje që na lindin ne dhe sidomos mësuesve të cilët janë drejtpërsëdrejti të interesuar. Por, edhe pse ka kaluar rreth 1 muaj, nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Këtë numër po fillojmë me opinionet e drejtoreshës së gjimnazit “Sami Frashëri”, Diana Kalemi.

“Do të më bjerë infarkt kur të më ikin disa mësues që dalin në pension”. Me këto fjalë drejtoresha e Petro Ninit ka perifrazuar të gjithë kuptimin e peshës “pa master . Mësues pa master por të shkëlqyer, mësues nga ata që nuk zëvendësohen lehtë, që nuk gjenden lehtë, edhe nëse të jepet mundësia të zgjedhësh mes shumë të tillëve. Edhe pse drejtuesit e gjimnazeve elitare i përzgjedhin të parët mësuesit, drejtoresha e “Petro Ninit” thotë se do të përzgjedhësh mes atyre që të ofrohen. Tirana ka prurje demografike, por nuk janë të gjitha prurje të mira. Nuk ka shumë mësues të mirë.

-Drafti i MASH ka parashikuar ndër kriteret e të qenit mësues gjimnazi, edhe zotërimin e një diplome masteri veç diplomës universitare. A mendoni se masteri është i domosdoshëm?
Eshtë i domosdoshëm kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve, përderisa pretendojmë standardet e Europës e cila ka shkallë të lartë zhvillimi, e përderisa arsimi është përcaktues për të ardhmen e një kombi. Duhet të mendojmë se nga mësuesit varet se si do të jetë shoqëria nesër, nga këta mësues do të dalin intelektualët e të gjitha fushave.

-Nëse mësuesve të diplomuar me sistemin 4-vjeçar prej vitesh, do t u kërkohet masteri, a nuk do të thotë kjo, se në një mënyrë, diploma që thotë “Mësues për shkollën e mesme” do të zhvlerësohet?
Absolutisht jo. Por koha evoluon dhe njohuritë e marra njëherë nuk mjaftojnë. Njerëzit duhet të përshtaten. Kjo nuk do të thotë që një mësueseje 55-vjeçare t i vihet kusht masteri, sepse ajo e ka marrë masterin me kohë dhe e ka përcaktuar pozicionin e saj.

-Këta mastera nuk janë gjithnjë të fushës së mësimdhënies. Edhe diplomat, pavarësisht se i titullojnë “mësues”, në fakt nxjerrin specialistë të këtyre fushave. Çfarë mendimi keni lidhur me këtë fakt?
Unë para se të jem drejtuese, jam mësuese matematike dhe mendoj se më shumë të domosdoshëm janë masterat në fushën psikologji-pedagogji, sesa për lëndën respektive. Sepse unë e shoh që kemi mësues-specialistë, por në fushën e psiko-pedagogjisë kanë mangësi. Kjo vjen ngaqë fakultetet tona nuk nxjerrin mësues, por nxjerrin specialistë. Dy lëndë që bëhen në shkollën e lartë- psikologji dhe pedagogji nuk janë të mjaftueshme për të dalë mësues.

-Diplomat e tri-vjeçarit të sistemit të Bolonjës, me sa dini ju, a njihen për të punuar si mësues?
Ata me diplomën e Bolonjës nuk kanë arritur të futen në arsim deri tani.

-Nëse do të zbatohet me përpikmëri kriteri master për emërimet, atëherë ata që kanë një vend pune mësues, i bie që ta humbisnin vendin, nëse nuk e marrin masterin. Besoni se do të ndodhte kjo?
Ky është një draft dhe si i tillë do të shtrohet për diskutim, do të marrin pjesë grupet e interesit dhe implementimi i tij nuk do të jetë i sotpërsotshëm. Kështu që nuk besoj se do të ketë tërheqje të tilla.

Kriteri vjetërsi nuk është kriter profesional për kategorizimin e mësuesve
Akreditimi i universiteteve zgjidh cilësinë e diplomave të mësuesisë

-Një mësues që ka 5 vjet punë, konkurron për kategorinë e tretë. Ai që ka 10 vjet konkurron për të dytën e me radhë. A duhet ndjekur kjo kronologji vitesh për kategorizimin e mësuesve; pra a është gjithnjë e vërtetë, se mësuesi që ka 10 vjet punë është më i mirë se ai që ka 5 vjet, ndërsa ai që ka 20 vjet është më i mirë se ai që ka 10 vjet? Dhe a janë të diferencuara në shkallën e vështirësisë testimet për marrjen e kategorive të ndryshme? Pra, thënë më thjesht: a është më i vështirë testimi për marrjen e kategorisë së parë, të cilën mund ta marrë vetëm mësuesi me mbi 20 vjet punë e nuk ka aftësinë ta marrë mësuesi me 3, me 7 apo 17 vjet punë?
Kjo është një punë që u takon specialistëve, por edhe në atestimin 5, 10 apo 20-vjeçar që bëhet, shkalla e vlerësimit është e ndryshme. Kjo do të thotë, që një mësues jo i mirë, do të marrë mjaftueshëm, dobët ose nuk e merr fare.

-Por rritjen e pagës ky mësuesi mediokër e merr njësoj me mësuesin e mirë.
Po, e merr. Por ndoshta prandaj duhet ky masteri, që të bëjë diferencimin në pagë, që atestimi që është
i detyrtuar për të gjithë, nuk e ka bërë dot.

-Ju personalisht, mendoni se një mësues me pak vite pune është më pak i aftë se një tjetër me shumë vite e për këtë arsye, ky me pak vite nuk mund të kalojë në kategorinë e parë?
Unë jam prononcuar edhe herë të tjera qoftë publikisht, qoftë në mbledhje me kolektivin apo në diskutime të lira: Nuk është kriter për mua vjetërsia në punë. Ne kemi pasur mësuese që i kemi nxjerrë në pension, që e kanë marrë dhe e kanë mbyllur profesionin me mediokritet. Këtë e them edhe nga përvoja ime si nxënëse. Kurse ka mësues që edhe me 5-6 vjet punë, kanë qenë model. Kjo ka lidhje edhe me formimin, edhe me përpjekjet që bën mësuesi. Ai duhet të investojë gjithë jetën dhe nuk duhet ta konsiderojë të mbyllur përgatitjen me mbarimin e shkollës. Ne, misionin e ke shumë të vështirë, pikërisht për këtë arsye, sepse duhet të kapim zhvillimet e reja. Nuk mund të aplikosh sot metodat e mësimdhënies të një kohe tjetër. Tani kemi tjetër brez, me tjetër formim dhe produkt i një kohe të re.

-Nëse në gjimnaze do të kërkohet masteri, a do ta shihnit ju të drejtë, që mësuesit pa master të kalojnë në nivelin 9-Vjeçar, në vendin e atyre me institute?
Me mundësitë dhe prurjet që ka Tirana, nuk e besoj të ketë më mësues me institute. Në kolektivin ku unë punoj ka shumë mësues me master, ashtu siç ka edhe nga stafi drejtues…Por drafti nuk ka vendosur asgjë. Për të vendosur për pozicionin e një mësuesi dhe korrektesën dhe përkushtimin e tij, nuk mjafton vetëm masteri. Sepse ne e dimë që ka edhe mësues që e marrin masterin me shumë mënyra e mjete, ndërkohë që nuk ka vlerat e një mësuesi vërtet pa master, por që punon shumë, njeh metodat e reja të mësimdhënies. Nuk besoj se ka gjë të prerë në këtë pikë.

-Ju si drejtoreshë e shkollës, a shprehni parapëlqime për emërimet e mësuesve në shkollën tuaj nisur nga lloji i diplomës, pra duke vënë në peshore diplomën e UT-së, me diplomën e universiteteve të rretheve?
Mbase është fat që i kam të gjithë mësuesit këtu me diplomë të UT-së.

-Pse e quan fat të madh: Nuk do t i preferonit mësuesit e shkollave të larta në rrethe?
Nuk do të vihesha përpara kësaj pyetjeje- dilemë, por duke qenë se kam mbaruar UT-në, unë them se Universitetit i Tiranës ka pasur shumë më shumë peshë se ato institute që janë bërë universitete.Unë e quaj fat që punoj me këtë staf, sepse është një staf që gjen mirëkuptim dhe nëse shtroj problem për zgjidhje, gjej mbështetje.

-Mendoni se duhet të bëhet akreditimi i universiteteve, në mënyrë që diplomat të diferencohen?
Patjetër. Nëse do të më pyesin mua se nga do t ia filloja, do t ia filloja pikërisht nga akreditimi i universiteteve dhe rregullimi i fakulteteve të mësuesisë. Eshtë fakt, që në Fakultetin e Shkencave të Natyrës shkojnë nxënës që nuk fitojnë në asnjë degë tjetër. Dhe fakultetet e mësuesisë duhet të kenë lëndë që të nxjerrin mësues dhe jo specialistë. Specialisti mbaron në rastin e matematikës, për inxhinieri matematike. Duhet rregulluar baza e fakultetit, sepse nëse e lëmë kështu me këtë lëmsh alternativash, njerëzit janë gatuar të kërkojnë edhe atë që nuk u takon. Fakultetet e mësuesisë duhet të jenë seriozë. Këta fakultete në botë quhen “shkolla edukimi”, tek ne janë fakultete që nxjerrin specialistë.
Edhe një herë: Nuk është masteri që e zgjidh problemin e nivelit të mësimdhënies. Në radhë të parë është cilësia e diplomave dhe vërtetësia e tyre. Jo më kot thuhet “Të verifikohen të gjitha diplomat e PAS 90-s.

-Sipas draftit, mësuesit me master do të japin mësim në vitet e dyta të gjimnazeve, kurse ata me kualifikime, sipas shkallës së kualifikimit, në vite të para e të treta. A e shihni të realizueshme?
Eshtë shumë shpejt për t i bërë këto gjëra. Do të diskutohen, do të shihen. Unë përsësi jam pak skeptike…
Por kriteri kohë për mua nuk përcakton aftësinë e mësuesit. Ai mund të ketë sa vjet të dojë mësues e të jetë mediokër. Mund të jetë 25 vjeç dhe mësues shumë i mirë. Por, nëse masteri do të bëhet serioz, nuk ka arsye pse të mos konsiderohet si plus. Dhe shkallëzimi i mësuesve ekziston edhe pa kriterin master, sepse janë rezultatet e atestimit që e bëjnë shkallëzimin. Një pjesë e mësuesve që nuk e ndiejnë veten të aftë, nuk hyjnë në atestim, ndërsa disa dalin me rezultat të dobët. Kështu që shkallëzimi i mësuesve është bërë vetvetiu.

-Ata që mbesin, nuk e marrin shtesën e rrogës, por mbajnë vendin e punës. A duhet të vazhdojë kështu?
Nuk jam marrë ndonjëherë me emërime mësuesish, nuk di çfarë të them.

Diviza e drejtoreshës
Mësuesit t i përgjigjen stadit të zhvillimit të shoqërisë
Duhet rregulluar përfundimisht arsimi. Qeveria duhet të ngrejë rrogat dhe mësuesit, t i përgjigjen nivelit. Diviza ime është se këta nxënës që nxjerrim ne, do të zënë pikat kyçe në politikë, ekonomi, në të gjitha fushat. Arsimi duhet të jetë i pari që duhet të pësojë hop zhvillimi. Dhe të gjithë mësuesit është e nevojshme të kuptojnë se përpjekjet për t u adoptuar me zhvillimet e reja duhet t i bëjnë gjithë jetën. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm, se duhet t i përgjigjen stadit të zhvillimit të shoqërisë.

Atestimi i mësuesve dhe kualifikimet, të nevojshme
“Atestimi është një provim ku mësuesi çon një portofol të vetin dhe hyn në një provim që ka të bëjë me fushën e specialitetit, metodikën e mësimdhënies dhe ligjet e arsimit. Në përgjithësi, kualifikimi ngrihet mbi bazën e kërkesave që vijnë nga shkollat. Secila shkollë e shtron para kolektivit të vet se për çfarë kualifikimesh ndihet nevoja dhe secili kërkon atë ku ka nevojë. Natyrisht, DAR nuk u përgjigjet dot të gjitha kërkesave, por kualifikimet mbeten domosdoshmëri, edhe pse nuk janë gjithçka.”

Alma Rusi, mësuese e bio-kimisë tregon se mungesa e masterit nuk e pengon mësuesin të arrijë rezultate
“Ne, mësuesit pa mastera, po hartojmë tekstet dhe testet e maturës”

“Mendoj se i diplomuari që mbaron pesë vjet studime, pra që del me master, nëse do të quhet master, dy-vjeçari pas tri viteve) dhe përballet me mësuesinë, nuk do ta ketë më të lehtë dhe as nuk mund të krahasohet me mësuesin me përvojë. Nuk mund të jem dakord me propozimin që mësuesit kanë nevojë për master, që të bëhen të aftë të japin mësim, pasi mësuesi kërkues nuk i mbyll kurrë librat. Jemi ne këta mësuesit pa mastera, që bëjmë tekstet dhe që hartojnë testet e maturës shtetërore”, thotë mësuesja e “Petro Ninit”, Alama Rusi. Ajo tregon se megjithëse pa mastera, shumë mësues janë në kontakt me të rejat e fushave të tyre që t ua përcjellin nxënësve. Sepse mësuesi duhet të jetë gjithnjë një hap para nxënësit. “Pavarësisht se me Sistemin e Bolonjës, ata që mbarojnë 3+2, quhen me master, nuk i bën diploma të aftë të japin mësim. Sepse ne nuk kemi shkolla që nxjerrin mësues, por nxjerrin specialistë. Nga ana tjetër e shoh të vonuar për brezin tonë kërkesën për master. Vite përpara, bëra kërkesë për të vazhduar masterin dhe megjithëse i plotësoja të gjitha kriteret, më thanë se nuk mund ta vazhdoja, se kisha dy vjet që kisha kaluar moshën si kriter. Pse duhet të penalizohem tani për këtë? Nëse nuk kisha moshë atëherë, do të kem tani?!
Mendoj që masteri duhet të bëhet për psiko-pedagogji, ku të shënohet cilësimi “mësues” dhe ky cilësim të mos vihet në diplomë. Niveli shkencor merret në vitet e studimeve universitare dhe nuk ka pse të vazhdojë edhe në master. Por ky nivel që është shumë i rëndësishëm ka nevojë të plotësohet me parametrin tjetër, përgatitjen pedagogjike të mësuesit, sepse ai do të formojë njeriun. Dhe kjo përgatitje që nuk jepet në fakultet, të jepet pikërisht në studimet pasuniversitare që mund të jenë edhe në formën e kualifikimeve të ndryshme.”

Drejtoresha thotë se gjithsesi mësuesit nuk ndihen aspak të shqetësuar nga variantet e ndryshme që qarkullojnë në drafte

Në degët e mësuesisë sot shkojnë niveli më i ulët i nxënësve të gjimnazeve. Këtë shqetësim na e kanë thënë më parë dhe tani mësues të shumtë të kryeqytetit. Dhe shkaku i kësaj është sepse mësuesia nuk shihet si fitimprurëse. Nesër do të vijojë të flitet për kriterin e masterave për mësuesit dhe për cilësinë e diplomave të tyre…

Mësuesit që japin mësime private, ose në kurse, ose në shkollë
Ashtu siç ka mësues të dobët, ka edhe mësues të shkëlqyer që çapëlehen në punë private, japin mësim privatisht me 20-30 nxënës dhe kur vijnë në shkollë, nuk kanë fuqi të rrinë në këmbë. Ata janë specialistë të mirë, shumë të mirë, por jo njerëz të mirë”. Kështu shprehet drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Ajo thotë: “Në ka profesion ku je i skanuar gjithë kohës, ky është mësuesia. Dhe këta mësues nuk kanë autoritetin e duhur përpara nxënësve të tyre. Unë mendoj se ata duhet t i përgjigjen kërkesave të shkollës dhe ta vlerësojnë më mirë këtë punë, sepse të japësh mësim aq më tepër në gjimnazin “Petro Nini” nuk është gjë e vogël. Ata duhet të zgjedhin: Ose le të dalin privat e të hapin kurse sa të duan, ose t i përkushtohen shkollës.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›