E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Vlorës pa infrastrukturë, frikë për dëmtimin e anijeve

Vlorë- Rasti i Durrësit, kur këputja e litarëve të tragetit mbyti 3 peshkarexha dhe dëmtoi disa të tjera ka vënë në panik drejtuesit e kapitenerisë së Portit të Vlorës.

Shefi i kapitenerisë së këtij porti, pranon se aty ka mungesë të theksuar të kushteve të infrastrukturës, në mënyrë që të sigurohen mjetet lundruese në kushtet e motit të keq.

Anastas Goga, shef i kapitenerisë së portit të Vlorës thotë se nuk mund të flitet për port, kur ke parasysh kushtet që ka aktualisht Porti i Vlorës.

Nisur nga situata e fundit e krijuar në Durrës, kapiteneria e mbledhur në një takim të posaçëm ka vendosur që në ditët me erë të fortë, porti të mbyllet dhe të mos kryejë asnjë lloj përpunimi.

“Në ditë të caktuara kur ka stuhi dhe forca e erës i kalon 15 metër për sekondë ne kemi vendosir ta mbyllim fare portin dhe të mos kryejmë veprime në të”- tha ai, duke shtuar se nëse në porte të tjera, anijet i lëmë në mol, në Vlorë anijet dalin në Rad dhe strehohen në gji.

Në raste të tilla, sipas tij, nuk ka probleme me anijet tregtare, por më shumë me pasagjerët që kanë padurimin për të lëvizur.

Më parë, porti nuk bënte veprime kur shpejtësia e erës ishte 17 metër për sekondë, kurse tani nisur nga mungesa e infrastrukturës është vendosur një tjetër masë.

“Vlora ka mesatarisht 28-30 ditë në vit që ka ditë me erë të fortë. Ndaj ne po shohim të nxjerrim modalitete për të shmangur pasojat me mënyra të tilla”- thotë ai, duke përfundur me ankesën se nuk kanë kapacitetet e duhura të infrastrukturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›