E Diel, 1 Nëntor 2026

Për fëmijët nën peshë, tashmë një “nënë kangur”

17/06/2005  Një projekt i UNOPS, gjen zbatim në maternitetin e Durrësit

DURRES - Në maternitetin e Durrësit ka nisur të aplikohet për

herë të parë një projekt për nënat që sapo lindin, i nxitur dhe i mbështetutr nga UNOPS. Megjithëse nuk ka vetëm pak ditë që projekti ka nisur të zbatohet, fillimisht te disa nëna e bebet e tyre, mjekët janë shprehur optimist dhe, sipas tyre, në një fazë të dytë të afërt do të përfshihen të gjitha lehonat dhe bebet.

Projekti

Projekti quhet “Nëna kangur” dhe parashikon që nëna të ushqejë dhe të kujdeset për të porsalindurin ashtu si kanguri që mban të vegjlit në xhepin e trupit.

Ky projekt, vjen si praktika më e suksesshme e vënë në përdorim në disa vende të zhvilluara, ka të bëjë me rritjen e bebeve të porsalindur në kushte krejt të ndryshme nga praktikat e përdorura deri më tani në vendin tonë. Madje, në këtë drejtim materniteti i Durrësit është i pari që e ka vënë në përdorim projektin, ndërkohë që pavioni do të shërbejë jo vetëm për nënat dhe bebet që do të lindin në spitalin e Durrësit, por edhe për shumë të tjerë që do të vinë nga rrethet.

Para se kjo praktikë të aplikohej në Durrës, autori i patentës së re mjekësore, Martinez, ka qenë vet në Durrës, ndërkohë që grupi i mjekëve dhe infermierëve kanë marrë leksione si dhe kanë parë nga afër “teknologjinë” e re në Trieste të Italisë.

Mjekët thonë se materniteti i Durrësit, i cili pret investime kryesisht për pjesën e hotelerisë dhe infrastrukturës bashkëkohore, do të jetë qendra kryesore e Shqipërisë, ku do të trajtohen nëna dhe bebe të kësaj kategorie.

“Nëna kangur”

Nënat lehonë që për shkaqe të ndryshme kanë lindur bebe nën peshë apo në rastet kur ato nuk kanë mbushur kohën e plotë të ciklit të barrëlindjes do të mbajnë krijesat e reja ngjitur me trupin e tyre.

Mjekët e pavionit të maternitetit kanë thënë se bëhet fjalë për

fëmijë që kanë lindur nën peshën 2 kg, si dhe për ata që klasifikohen si distrofë, ndërkohë që programit të ri do t’i nënshtrohen edhe gratë, që kanë lindur parakohe për shkaqe të ndryshme.

Projekti i UNOPS që zbatohet për herë të parë në vendin tonë dhe vetëm në Durrës, vjen nga përvoja e mirë e trajtimit të kësaj

kategorie fëmijësh në vende Perëndimore, ndërkohë që projekti “Nëna kangur” është emërtim që i përket formuluesit të parë të kësaj metode, mjekut Martinez nga Kolumbia.

Mjekja

Mjekja Dhurata Beshelli, e cila ka ndjekur të gjitha kualifikimet për vënien në zbatim të projektit në fjalë është shprehur se “fillimet janë shumë të mbara. Ne kemi disa ditë që kemi vënë në

zbatim projektin dhe po eksperimentohen pesë nëna së bashku me bebet e tyre. “Kjo praktikë e re ka zëvendësuar dërgimin e fëmijëve nën peshë në inkubator. Trajtimi në kushte natyrale është shumë më cilësor se mbajtja e fëmijës nën efektin e aparaturave”, shprehet e sigurt mjekja.

Megjithëse vetëm pak ditë kanë kaluar nga zbatimi i këtij projekti, mjekët janë shprehur se fëmijët kanë shtuar në peshë më shpejt se në inkubator dhe se gjendja fizike, si dhe rritshmëria e tyre është më e avancuar.

Metoda e “Nënës kangur”

Fëmija njësh me nënën

Mjekët e maternitetit të Durrësit, duke shpjeguar këtë metodë, bëjnë të ditur se barku i fëmijës i zbuluar qëndron ngjitur me barkun e nënës dhe të dy së bashku fashohen në një trup të vetëm. Në këtë mënyrë, fëmija merr ngrohtësi nga nëna, rritet me temperaturën e trupit të saj si dhe ushqehet me gjirin e nënës nën kujdesin e mjekes, sqarojnë mjekët.

Sipas mjekëve, “Nëna kangur” ka shumë avantazhe dhe ajo që ata veçojnë është fakti se bebet e porsalindur largohen nga kontrolli i aparaturave që mbajnë nën kontroll temperaturën, oksigjenin dhe mënyrën e të ushqyerit.

Mjekët të sigurtë shprehen se një metodë e tillë është krejt natyrale dhe se bebja aktivizohet cilësisht në këtë fazë premature.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›