E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të izoluara skulpturat 1 mijë euro



Veprat e artit të krijuara gjatë Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës, një aktivitet ky i pari i këtij lloji që u organizua në qytetin e Korçës nga datat 25 qershor deri në 6 korrik, janë lënë në vendin ku ato u punuan dhe nuk janë ekspozuar sipas projektit në mjediset publike.

Me përjashtim të një prej skulpturave që u vlerësua ndër më të arrirat, ajo e punuar nga artisti japonez pjesëmarrës në këtë aktivitet dhe që është vendosur para pallatit të kulturës "Vangjush Mio", 7 krijime të tjera të artistëve vendas dhe të huaj kanë mbetur në mjediset e parkut "Rinia" dhe pikërisht në vendin ku u skalitën prej skulptorëve.

"Interesohemi në bashkinë e qytetit, por ndërmarrja e gjelbërimit që ka për detyrë të merret me vendosjen e skulpturave në vendet e parashikuara përgjatë shëtitores së Parkut “Rinia”, ende nuk po vihet në lëvizje", tha drejtori i Qendrës Kulturore "Vangjush Mio", Vladimir Topi. Sipas tij, duhet një fond shtesë nga ana e bashkisë për piedestalet ku do të vendosen skulpturat e krijuara, por edhe një angazhim i Ndërmarrjes së Gjelbërimit në njerëz dhe mjete për përgatitjen e vendeve ku do të vendosen këto skulptura.

Shqetësimi për lënien në vendin ku u krijuan skulpturat, lidhet edhe me dëmtime të mundshme të tyre si nga faktorë natyrorë, por edhe dora e njeriut, pasi nuk janë aspak në ruajtje. Drejtori i Qendrës Kulturore, Vladimir Topi, shton se "nga ana e Ndërmarrjes së Gjelbërimit në bashki nuk duhet të ketë më indiferencë dhe zvarritje të shpërndarjes dhe vendosjes së skulpturave në mjediset e parkut “Rinia”, pasi kjo nuk është një përgjigje e denjë për Simpoziumin Ndërkombëtar të skulpturës në mbyllje të tij".

Disa prej skulpturave të krijuara nga artistët gjatë ditëve të Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës, sipas artistëve figurativë në Korçë, janë lehtësisht të vendosshme në ambientet ku mendohet që të vihen për shkak të përmasave të tyre relativisht të vogla dhe vetëm për dy skulptura masive duhet ndërhyrë me mjete dhe punëtorë që të ngrihen mbi piedestale. Tre skulptorë nga Shqipëria dhe 5 të tjerë nga vende të ndryshme të botës si, Japonia, Rumania, Gjermania e Serbia morën pjesë në të parin Simpozium Ndërkombëtar të Skulpturës që u organizua në qytetin e Korçës dhe që synohet sipas bashkisë, të kthehet në një traditë të përvitshme. Nga ana e bashkisë, skulptorët pjesëmarrës në këtë aktivitet u shpërblyen për punën e tyre me një vlerë 1 mijë euro secili, por dobia e këtij aktiviteti qëndroi në faktin se u realizuan vepra që do të pasurojnë trashëgiminë kulturore të qytetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›