E Diel, 1 Nëntor 2026

Për hebrenjtë, Jemeni i trazuar s’mund të jetë më i sigurt

Autori i Lajmit: Nga Sudarsan Ragavan
SANA, JEMEN – Hebrenjtë e fundit të mbetur në Jemen po zhduken të përpirë nga politika, lufta dhe urrejtja. Dikur komuniteti hebre i cili arrinte shifrën 60 000, duke përbërë një nga popullatat më të vjetra çifute në botë, tani ka më pak se 350 anëtarë. Në muajt e fundit, persekutimi nga ekstremistët islamikë është intensifikuar, duke përshpejtuar largimin e hebrenjve nga Jemeni. Shumë prej tyre po u drejtohen Shteteve të Bashkuara. Me ndihmën e qeverisë së SHBA-së dhe organizatave të hebrenjve në Amerikë, 57 çifutë nga Jemeni janë rivendosur në Nju-Jork që prej korrikut. Të paktën 38 priten të mbërrijnë së shpejti akoma më shumë më vonë, shprehen zyrtarët amerikanë. Të tjerët po kërkojnë strehim në Izrael dhe Evropë. Në kryeqytetin Sana, 65 çifutë që u larguan nga fshatrat e tyre veriore, po jetojnë në një kompleks qeveritar nën siguri të rreptë. Javën e shkuar, sipas informacionit të medies vendase, policia arrestoi dy njerëz që planifikonin të vrisnin rabinin e komunitetit, Eksodi i hebrenjve të Jemenit, të cilët i rezistuan vendosjes së Islamit në Gadishullin Arab dhe bashkëjetuan me ta për shekuj, është shenja e fundit e çarjes sociale të këtij shteti. Qeveria e dobët e centralizuar e Jemenit duhet të përballojë një luftë civile në veri, një lëvizje ndarëse në jug dhe një prezencë në rritje të Al Kaedës. Zona të tëra të kombit më të varfër në Lindjen e Mesme, kontrollohen nga fiset, të cilat kundërshtojnë ndërhyrjen e qeverisë. Rabbi Jahia Jehuda, si shumë të tjerë në kongregacionin e tij që sa vjen e zvogëlohet, po përballet me një dilemë gjatë pritjes për një vizë amerikane ose në Izrael. Mendja e tij e mbushur me kujtime vrasjesh, rrahjesh dhe kërcënimesh, i thotë atij që ta lërë Jemenin, atdheun e tij. Por zemra e tij i thotë të kundërtën. "Ne kemi jetuar këtu për mijëra vjet”, - thotë ai. “Unë dua të largohem, por dua edhe të qëndroj këtu.”

Një histori e vështirë

Hebrenjtë e parë që kanë ardhur në Jemen, ishin tregtarë të dërguar nga mbreti Solomon, siç besohet, në kërkim të arit dhe argjendit. Ata i mbijetuan persekutimit për gati një mijëvjeçar gjatë qeverisjes së imamëve Zajdi, të cilët ndjekin një degë të Shiitit islam. Me krijimin e shtetit të Izraelit më 1948, arabët u ngritën në qytetin port të Adenit, duke vrarë hebrenj dhe shkatërruar shtëpitë dhe dyqanet e tyre. Gjatë dy viteve të ardhshme, rreth 50.000 hebrenj u dërguan me avionë në Izrael, në atë që u quajt operacioni Tapeti magjik. Të tjerë largoheshin vazhdimisht nga Jemeni deri në vitin 1962, kur imamati Zajdi u rrëzua me grusht shteti dhe që pasoi me shpërthimin e luftës civile. Pas luftës së parë të Gjirit Persik, me mbështetjen e SHBA, rreth 1,200 hebrenj u larguan, shumica për në Izrael. Ata pak qindra hebrenj që mbetën u përqendruan në dy zona: në Al-Salem, afër kryeqytetit verior të provincës së Saadës, dhe në Rajdah, rreth 45 milje në veri të Sanës. Atje, ata jetuan të qetë nën kontrollin e sektit ortodoks çifut, duke praktikuar me rigorozitet ritet fetare. Ata shkonin në sinagoga, studiuan Torah në shkollat fetare dhe flisnin hebraisht. Shumë prej burrave ishin argjendpunues, dhe krijuan djanbia, thikat e vogla të përkulura të cilat i mbanin myslimanët. Të tjerë ishin kovaçë, marangozë ose këpucarë. Kaçurrelat që mbanin mbi veshë dhe beretat e vogla në kokë, i dallonin prej myslimanëve. Në vitin 2004, rebelimi shiit shpërtheu në Saada. Rebelët, të njohur si Hautët, ishin pasardhës të Zajdëve. Atë dhjetor, ata vunë në shënjestër Al-Salemin, hodhën gurë në shtëpitë e hebrenjve dhe shkatërruan makinat e tyre. "Ata erdhën këtu natën, duke thirrur të gjithë sloganet: “Vdekje Amerikës”, “Vdekje Izraelit” dhe “Mallkim hebrenjve”, - kujton Rabi Jahia Jozef Musa, 30 vjeç, i cili si shumë të tjerë ishte në shënjestër për tu vrarë. Gjatë tre viteve të ardhshme, hebrenjtë u përballën me kërcënime të shumta. Ata nuk udhëtonin kurrë vetëm. Shumë prej tyre lanë punët dhe largoheshin nga shtëpitë e tyre vetëm për ushqim dhe raste urgjente. “Ishte shumë e rrezikshme të largoheshim” - u shpreh Salim Musa, 65 vjeç.

“Zgjedhja e vetme ishte të largoheshim”

Në janar 2007, rebelët i dërguan komunitetit një kërcënim në formë të shkruar: "Duhet të largoheni ose do tju marrim peng dhe do tju vrasim" - tha Rabi Musa. Kështu, shumë çifutë u larguan për në kryeqytet. Më vonë ata mësuan se shtëpitë e tyre ishin shkatërruar, ashtu siç ishin shkatërruar dhe Torahët e tyre. Shumë njerëz nga Jemeni që u larguan nga zonat e kontrolluara nga rebelët i përshkruan Hautët si antiizraelitë. Dhjetorin e shkuar, Abdul Aziz al-Abdi, një pilot ushtrie në pension, goditi për vdekje me plumba Moshe al-Nahari, një rabi të mirënjohur në Rajdah, pasi sipas tij, ai kishte refuzuar të ndërronte besimin fetar në mysliman. Abdi u deklarua fajtor, por pasi u gjykua si i sëmurë mendor, iu kursye dënimi me vdekje. Në më pak se dy javë më vonë, konflikti midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në rripin e Gazës shpërtheu në valë të reja sulmesh dhe kërcënimesh kundrejt hebrenjve në Jemen. Drejtuesit e fiseve, të cilët dikur e mbrojtën komunitetin, e ndaluan ndihmën e tyre. Qeveria e dobësuar nga lufta civile dhe situatat emergjente, bëri shumë pak për ta mbushur vakuumin e krijuar. "Ky është rezultati i kaosit në vend", - tha said Mahmud Taha, një gazetar nga Jemeni i cili mbulon çështjet e komunitetit. Drejtuesit e komunitetit kërkuan ndihmë nga organizatat e hebrenjve në SHBA dhe Izrael. Ambasada amerikane e bindi qeverinë e Jemenit për të lëshuar dokumentet e udhëtimit. "Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë së Jemenit për të mbrojtur hebrenjtë në Rajdah, kërcënimet dhe dhuna nga ekstremistët myslimanë vazhduan deri në atë pikë sa hebrenjtë arritën në përfundimin që ata nuk kishin zgjedhje tjetër veçse të largoheshin nga Jemeni”- u shpreh një zyrtar i vjetër i SHBA, i cili kërkon ti ruhet anonimiteti. “Duhet të bënim diçka për këtë që po ndodhte”, - thotë Efraim Isaks, president i merituar i Federatës së Hebrenjve të Amerikës së Veriut. "Ekzistonte frika që mund të kishte sulme të tjera."

Një qytet në rrezik

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta në Rajdah, sipas drejtuesve të komunitetit Hebre dhe Taha. Sinagoga dhe shkollat e hebrenjve janë mbyllur. Burrat fshehin poshtë beretave kaçurrelat e tyre ose veshin tyrbe për tu maskuar. Gratë dërgohen në treg, sepse ato mund të mbulohen nga koka tek këmbët njëlloj si gratë myslimane. Hebrenjtë shprehen se ata akoma durojnë fyerjet dhe shpesh goditen me gurë. Disa folës në xhami nxisin dhunën dhe urdhërojnë ndjekësit e fesë myslimane që të mos blejnë nga dyqanet e hebrenjve. "Ata hidhnin granata në kopshtet e shtëpive tona," - u shpreh Jehuda. Por Luza Sulejman, e veja e Naharit, nuk ka plane për tu larguar. Familja e vrasësit i ka ofruar asaj paratë e gjakut, siç është zakoni këtu midis fiseve, në mënyrë që ajo ta mbyllë këtë çështje. Por ajo ka refuzuar. "Unë dua që vrasësi i burrit tim të ekzekutohet", - thotë Luza Sulejman. "Pastaj do të vendos nëse do të largohem apo jo nga Jemeni".

(The Washington Post)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›