E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për nder, masakrojnë taksistin

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin në mbarë Tropojën, Kukësin dhe më gjerë. Dy vëllezër, Jetmir dhe Granit Papa, përkatësisht 23 dhe 17 vjeç, nga fshati Pla i Rrethit të Tropojës, dyshohet se kanë vrarë 35-vjeçarin Avni Sinani nga fshati Gri i këtij rrethi, taksist, të cilin më pas janë përpjekur ta zhdukin në ujërat e liqenit të Fierzës. Trupi i viktimës u gjet rreth orës 18:10 të mbrëmjes së djeshme nga policia e Kukësit, pas një operacioni që kishte zgjatur mbi 10 orë. Në operacion ishin përfshirë efektivë nga komisariatet e Tropojës, Hasit dhe Kukësit, si dhe ekspertë të Ministrisë së Brendshme, përfshi një helikopter që ka fluturuar mbi malet e Tropojës gjithë ditën. Policia konfirmon gjithashtu se dy autorët kanë djegur edhe makinën e viktimës, një "Mercedes Benz 240 D".

Vrasja

Siç raportohet nga Tropoja, vrasja ka ndodhur para dy ditësh, më datë 17 shkurt, kur prindërit e taksistit kanë denoncuar në policinë e Tropojës zhdukjen e djalit të tyre. Sipas burimeve jozyrtare, njëri nga dy vëllezërit i ka kërkuar viktimës ta çojë me taksi në një fshat të Hasit, ndërsa vëllai tjetër është nisur pak më vonë me makinën e tij në drejtim të vendit që ishte përcaktuar për të kryer krimin. Të paktën, siç ka pohuar një nga vëllezërit në polici, me të mbërritur në afërsi të fshatit Letaj të Hasit, viktima është qëlluar me një bisht kazme dhe ka vdekur. Pas vrasjes, vëllezërit janë bashkuar dhe e kanë ngarkuar kufomën në bagazhin e makinës së tyre, kanë djegur makinën e viktimës dhe janë larguar. Ata kishin menduar ta hidhnin kufomën në ujërat e Drinit të Bardhë, në një vend larg makinës së djegur, në mënyrë që të humbnin gjurmët, por në rrethana ende të paqarta e kanë lënë trupin në breg të liqenit të Fierzës, në afërsi të Kukësit.

Motivet

Drejtori i policisë së Qarkut të Kukësit tha se sfondi i ngjarjes ishin motivet e dobëta. Edhe një oficer i Komisariatit të Tropojës tha se bëhej fjalë për motive të dobëta, por nuk jep sqarime të mëtejshme. Një burim tjetër në Tropojë thotë se dy vëllezërit kishin dyshuar se viktima u kishte ngacmuar dikë të familjes, e pikërisht bashkëshorten e 23-vjeçarit Jetmir Papa. Për këtë shkak ata e kanë vrarë, duke e dëmtuar në fytyrë dhe në vende të tjera viktimën. Motivi i nderit përforcohet edhe nga një pohim i një oficeri, i cili pasi mbarti kufomën nga shkurret në breg të liqenit, tha se në gjysmën e poshtme viktima ishte i zhveshur dhe se penisi i tij ishte i përgjakur. Trupi i pajetë i 35-vjeçarit ishte shkarkuar nga bagazhi i makinës dhe ishte tërhequr shpatit teposhtë nëpër shkurre, ku kishte mbetur përmbys rreth 20 metra mbi liqen. Në prani të forcave të policisë në gjetjen e kufomës ishte edhe prokurori i Kukësit.

Rasti

Vrasja e mjekut Kastrati

Tre vite më herët, një vrasje e ngjashme ka ndodhur në Rrethin e Hasit. Në qytetin e Krumës, persona që tashmë ndodhen në duart e drejtësisë, rrëmbyen mjekun Behar Kastrati, të cilin më pas e vranë dhe e hodhën në ujërat e liqenit të Fierzës, 6 km larg qytetit të Kukësit, në një nga urat e rrugës Kukës-Tiranë. Viktima u gjet disa muaj pasi ishte vrarë me rënien e nivelit të ujit në liqen. Edhe në rastin e mjekut, motiv i krimit mendohet se ishte nderi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›