E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli urdhëron mbylljen e minierës në Bulqizë

Zona më problematike e minierave në Bulqizë është mbyllur dje pas një inspektimi të kryer nga specialistë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. E quajtur Zona D, miniera ku kanë humbur jetën disa minatorë gjatë vitit 2009, do të mbahet e mbyllur përkohësisht deri sa ministria të marrë garantimin nga ana e kompanive në drejtim të rritjes së sigurisë dhe kushteve të punës. Urdhri për mbylljen e minierës është lëshuar dje nga ministri Ruli, pas tri ditë inspektimesh të kryera nga specialistë të METE-s. Mësohet se gjatë këtyre ditëve janë vëzhguar nga afër kushtet e punës së minatorëve, të cilat lidhen me sigurinë e jetës, masat në minierë, si dhe trajtimin e minatorëve me paga dhe dieta. Në këtë minierë operojnë rreth 23 kompani, mes tyre dhe austriakët e ACR-së, e cila ka numrin më të madh të punëtorëve, rreth 75. Nga mbyllja e Zonës D rrezikojnë të mbeten pa punë rreth 250 minatorë, gjë që mund të vërë në vështirësi jetesën e tyre. Drejtues nga kompania ACR, sqaruan për "Shqip" se, "urdhri i ministrit nuk ndikon aspak në trajtimin e punonjësve, pasi ata do të zhvendosen në një pikë tjetër".

Prej kohësh, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kishte sinjalizuar për mbyllje të atyre minierave që nuk garantojnë sigurinë për punëtorët. Ministri Ruli ka paralajmëruar me kohë heqje të licencës për ato kompani që nuk respektojnë kontratën që kanë me shtetin dhe me vetë minatorët. Deri tani nga ministria nuk ka asnjë të dhënë sesa do të zgjasë urdhri i ministrit për mbylljen e minierës, në të cilën punonin rreth 250 minatorë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›