Veliaj takon biznesin fason
Kriza ekonomike botërore nuk është mijëra kilometra larg siç përpiqet të na e paraqesë qeveria aktuale, por vetëm pak metra nga Unaza e Tiranës. Kështu iu drejtua Erion Veliaj gazetarëve të pranishëm dje në një vizitë te një prej fabrikave të fasonëve të mbetur pa punëtorë si rezultat i krizës ekonomike dhe uljes së porosive nga jashtë vendit. Fabrika e një biznesmeni fason që kërkoi të mbetej anonim, zakonisht punëson rreth 60 vetë, kryesisht gra dhe vajza që me këtë punë mbajnë familjen, tashmë ka reduktuar rreth 30 për qind të tyre dhe pjesa tjetër e mbetur merren vetëm part-time atëherë kur ka porosi. Kreu i G99, Veliaj tha se, për rëndësinë që ka sektori, i cili sjell valutë të konsiderueshme në vend, nevojitet marrja e disa masave që janë rishikimi i indeksimit të pagave, lehtësira tatimore etj.