Policia kufitare, operacione të përbashkëta me FRONTEX
Policia kufitare do të kryejë operacione të përbashkëta me FRONTEX, si dhe do i nënshtrohet një trajnimi me standarde evropiane. Kjo do të bëhet duke u bazuar në një marrëveshje të policisë shqiptare me këtë organizëm. Burimet zyrtare bënë të ditur se dje në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, një marrëveshje për vendosjen e bashkëpunimit operacional me FRONTEX, e përfaqësuar nga Ilka Laitinen, drejtor ekzekutiv. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka si objektiv të godasë migracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar që lidhet me të, duke rritur kontrollin dhe forcuar sigurimin e kufijve midis shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë. Synimet e kësaj marrëveshjeje janë përmirësimi i bashkëpunimit operacional midis shteteve anëtare në fushën e menaxhimit të kufijve të jashtëm dhe shkëmbimi i informacionit mes Njësisë së Analizës së riskut të FRONTEX dhe Departamentit të Kufirit e Migracionit.