Plagosja te Rruga e Kavajës, e qëlluan se u pa fytyrën
Dy grabitësit që plagosën pronaren e një dyqani të këmbimit valutor do të akuzohen edhe për vrasje me dashje, e mbetur në tentativë. Policia tha se nga veprimet hetimore për ngjarjen e dy ditëve më parë ka rezultuar se dy autorët, ende të paidentifikuar, kanë tentuar të vrasin 42-vjeçaren, me qëllim për të zhdukur gjurmët, pasi ajo i kishte parë në fytyrë. Në lidhje me këtë ngjarje, policia shpjegoi se rreth orës 08:00 të së mërkurës, në Rrugën e Kavajës, te këmbimi valutor "Koneja", në pronësi të shtetasve Hair dhe Redina Shametaj, dy persona të armatosur, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin sasinë e parave që Redina kishte me vete. Më pas, njëri nga autorët ka qëlluar dy herë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbë Redina Shametajn. Policia tha se u kryen veprimet hetimore dhe në cilësinë e provës materiale në vendngjarje u sekuestruan dy fishekë model 54, të kalibrit 7.62 mm, si dhe dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.