Për një muaj, policia arreston 104 të kërkuar
27/03/2005 TIRANË- Vetëm gjatë muajit shkurt, Policia e Shtetit arreston 104 të kërkuar. Mes tyre, sipas zëdhënëses së policisë, Edlira Terefiçi, përmenden emrat e Bujar Dakës, 24 vjeç, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes. Ky shtetas në bashkëpunim dhe me dy shtetas të tjerë të dënuar, u larguan më datë 10 shkurt nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, Martin Nerhati, 24 vjeç dhe Vladimir Shaqiri, 34 vjeç, i kërkuar për “trafikim të fëmijëve”. Mes të arrestuarve ndodhet edhe Nikolla Hafezllari, 29 vjeç, sepse Prokuroria e Rrethit Korçë, më datë 06.05.2003 ka urdhëruar ndalimin e tij, për veprën penale të “trafikimit të qenieve njerëzore” dhe ”shitjes së lëndëve narkotike”. Por, darës së policisë nuk i kanë shpëtuar edhe vrasës, ku mes tyre përmendet Nikolin Dani, 32 vjeç, i shpallur në kërkim si autor i vrasjes së një shtetasi dhe plagosjes së një tjetri. Në listën e gjatë të të arrestuarve ndodhen edhe të kërkuar për vepra të ndryshme penale.