E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Vavilis për Policinë Greke në qershor ‘97

27/03/2005  Alimuaçaj u mundua të zhdukte 150 milionë dollarë

Gazeta “Metropol”, boton të plotë raportin që i shumëkërkuari Apostolo Vavilis shkruajti për llogari të Policisë Greke në qershor 1997, sapo ishte kthyer nga një qëndrim në Shqipëri. Raporti ka më tepër interes, pse paraqet hollësi për aktivitetin dhe synimet e Vehbi Alimuçajt, menjëherë pas rrëzimit të piramidave, tronditjes kaotike, që arriti kulmin me ngjarjet e shkurt-marsit 1997. I gjithë raporti vijon si më poshtë

Vëzhgime dhe konkluzione të vizitës në Tiranë nga 1 deri në 30 qershor.

Nga kontaktet e mia me zotin Vehbi Alimuçaj si president dhe aksioner i vetëm i firmës VEFA HOLDINGS SHPK, si dhe për kontakte me zotin Emin Mysliu ose Myslih siç është shkruar në pasaportën e tij, kam arritur në këto përfundime:

1Në lidhje me çështje që kanë të bëjnë vetëm me firmën

1.1

Pasuria e firmës të cilën e kam të pamundur ta parashikoj, vazhdon të ngelet e pacënueshme me përjashtim të katastrofave dhe shkatërrimeve që iu bënë asaj gjatë trazirave dhe që kanë të bëjnë me;

a Rrjetin e saj tregtar të përbërë nga 15 supermarkete

b Tre njësi turistike hotelerie në Korçë ose Përmet, Burrel dhe në Vlorë

c Rreth 15 punishte të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë, kryesisht në Shqipërinë Qendrore e Jugore.

D Një numër i papërcaktuar automjetesh të të gjitha tipeve

1.2

Madhësia e dëmeve në bazë të saj ka thënë vetë ai ka shifrën 300 milionë dollarë amerikanë. Duke qenë se numri i godinave të shkatërruara nuk shkon më tepër se 150, secila me vlerë mesatare 1.000.000 dollarë, duket qartë se zoti Alimuçaj përpiqet që të "zhdukë" një shumë me vlerë 150 milionë USD, duke mbivlerësuar dëmet e pësuara. Kjo shumë parash ka tepër të ngjarë që në kohë të pacaktuara të jetë transportuar jashtë kufijve të Shqipërisë, natyrisht në llogari bankare personale.

1.3

Një përshtypje të veçantë të bën, jo vetëm këmbëngulja e zotit Vehbi Alimuçaj, por edhe e Emin Mysliut për bashkëpunimin me firmat e huaja Dar-Handsah, DEI, etj, me synimin për marrjen përsipër të ndërtimit të disa veprave publike hidrocentrale në lumin Vjosë, rrugë nacionale, por edhe për ndërtimin e veprave të mëdha private siç është projekti "TIRANA 2", i cili parashikon ndërtimin e 10.000 banesave moderne e me cilësi të lartë në një territor, i cili gjendet ndërmjet Durrësit e Tiranës dhe që ky territor kërkohet të blihet nga VEFA. Të tilla sipërmarrje kërkojnë një planifikim afatgjatë, d m th stabilitet politik e ekonomik. Për një pyetjen time drejtuar zotit Emin Mysliu mora vërtetimin se zgjedhjet në 29 qershor do të zhvillohen normalisht dhe se gjendja do të normalizohet. Gjithashtu ai ka këmbëngulur për rëndësinë e kryerjes së këtyre veprave me investime të huaja.

1.4

Pjesa më e rëndësishme e bisedimeve ishte ajo në të cilën përmendej fakti që VEFA HOLDINGS SHPK, të shndërrohej ose të krijonte një bankë në Shqipëri, ose mundësisht në Greqi apo ndonjë vend tjetër të besueshëm e lehtësues. Synimi i kësaj përpjekjeje ishte legalizimi i sistemit të marrjes së depozitave, pra gjetja e nje rrugëdaljeje për firmën dhe për vetë zotin

Alimuçaj, nga rruga pa krye në të cilën i çoi konkurrenca në dhënien e përqindjeve në një përpjekje për të kontrolluar pjesën më të madhe të tregut monetar shqiptar (sado që ky term duket hiperbolik dhe i paprovuar te ekonomistët dhe gazetarët vendës, amatorizmin e të cilëve vuan sot Shqipëria dhe bashkë me të edhe i gjithë Gadishulli Ballkanik) dhe, ndoshta të zhvillimeve politike në vend. Sot në Shqipëri, përveç firmës VEFA mbijetojnë dhe tri firma të tjera piramidale. Pritet që të arrijë të japë një zgjidhje nëpërmjet një banke, off shore, e cila duhet të marrë një leje funksionimi për degë ose në Shqipëri, ose në Greqi, në mënyrë që të zgjidhet problemi me dhënien e librezave me llogari të ngrira ose aksione.

Zoti Emin Mysliu, me këmbëngulje më kërkoi të ndërmjetësoj për arritjen e një marrëveshjeje me zinxhirin të restoranteve “Goody’s” dhe dyqanet “Praktiker”, në mënyrë që VEFA të marrë ekskluzivitetin në Shqipëri.

Zoti Vehbi Alimuçaj më kërkoi për llogari të tijën dhe të familjes së tij, pajisjen me pasaporta greke. Iu përgjigja se e konsideroja si të pamundur, për shkak të gjendjes aktuale. Gjithashtu m’u kërkua zhvillimi i një fushate reklamuese në Greqi, në mënyrë që të informoheshin emigrantët shqiptarë për të vërtetën dhe synimet e ardhshme të firmës VEFA, e cila nuk ishte shkatërruar, por do të vazhdonte programin e saj investues. U rezervova t’i përgjigjem.

Çështja më e rëndësishme, e cila rezulton nga udhëtimi im, janë informatat në lidhje me zotin Emin Mysliu. Në mënyrë analitike, po paraqes më poshtë një biografi të tijën si edhe mendimet e tij në lidhje me situatën aktuale:

Zoti Emin Mysliu është nip i Emin Agës të Prevezës, familja e të cilit (shumica e pjesëtarëve) u zhvendos në Shqipëri pas shpalljes së Pavarësisë. Nga ana e gjyshit të tij, ai sot ka një pasuri të shkelur në Greqi, si edhe kushërinj grekë. Ai vetë është inxhinier mekanik, i specializuar për hidrocentralet. Në sistemin e Enver Hoxhës, ai ka qenë zv.ministër në këtë fushë. (Po të kesh parasysh mënyrën e ndërtimit të sistemit qeverisës Stalinist, posti i tij do të ishte ekuivalent i drejtorit të Përgjithshëm në ministri ose i DEI-t). Ka udhëtuar në shumë shtete të botës, ku ka kryer specializime dhe ka punuar në pothuajse të gjitha hidrocentralet e Shqipërisë. Po ashtu, ai është mjaft i njohur në Shqipëri nga populli. Ishte dhe ministër i qeverisë së parë të Partisë Demokratike, por dha dorëheqjen për shkak të kontradiktave të forta me Aleancën Demokratike në Shkodër, duke u përpjekur në këtë mënyrë që të arrijë një fitore personale kundrejt Berishës, në kështjellën e këtij të fundit.

Ai beson se zoti Berisha nuk ka fuqinë që besojmë në Veri të Shqipërisë dhe deklaron se do të kishte braktisur vendin, në rast se nuk do ta kishte shpëtuar ndërhyrja e Bashkim Finos, më 9 mars. Ai e konsideron Berishën si përgjegjësin kryesor për shkatërrimin dhe vjedhjen e pronave të VEFA-s në Veri të vendit.

Eshtë miqësor kundrejt Greqisë besoj se përfaqëson një “Inteligjencë urbane” në krijim, e cila politikisht përfaqësohet nga Aleanca Demokratike. Kësaj partie i duhet kushtuar një vëmendje e rëndësi e veçantë, pasi ajo do të luajë një rol ekuilibrues ndaj dy partive të mëdha, të cilat, në mënyrë që të shmangin tendencat e shkëputjeve të ektremeve të tyre, ndoshta do të adaptojnë një qëndrim intolerant e të ashpër ndaj Greqisë. Besoj se zoti Emin Mysliu do të mundet të funksiononte si kontaktues me Partinë e Aleancës Demoratike, të cilën vendi ynë, nëpëmjet minoritetit grek, do të mund ta shndërronte në një rregullator në zhvillimet politike të vendit fqinj. Realisht nuk është i mundur vlerësimi i pasurisë personale të Vehbi Alimuçës, jo vetëm e pasurisë personale, që s’është e firmës, por edhe e kontrollit absolut të saj (pasurisë të firmës) nga ai personalisht pa dijeninë dhe implikimni e ndonjë personi të tretë nga qarku i tij, njerëz, të cilët në asnjë rast nuk do të mundet të konsideroheshin plotësisht të besueshëm nga ana e tij. Nga ana tjetër nuk është e mundur nga pikëpamja llogaritare vlerësimi i pasurisë së firmës, jo vetëm për shkak të mungesës së një sistemi vlerësues, por edhe për shkak të investimeve të mëdha në troje ndërtimi dhe bujqësore, vlerësimi i të cilave nuk është i mundur në një vend si Shqipëria, në të cilën nuk ka parametra stabël ekonomikë, të cilat përcaktojnë vlerën reale të pasurive të patundshme si në vendet e zhvilluara perëndimore. Do të ishte e kuptueshme për cilindo ekonomist serioz, vëzhgues dhe analist, se dobësitë institucionale dhe mungesat e sistemit të një vendi në një periudhë tranzicioni nga ekonomia kolektive në ekonominë e tregut, do të nxitonin që të mbulonin fizikisht apo ligjërisht persona, të cilët vepronin pa asnjë lloj kontrolli. Gjendja ndoshta do të ishte tjetër në rast se organizmat ndërkombëtare do të ofronin një ndihmë të caktuar për krijimin e infrastrukturës zyrtare, të cilat do të vendosnin rregulla në tregun monetar të shërbimeve. Natyrisht një ndërhyrje e tillë nga organizmat ndrëkombëtare aktualisht do të ishte e pamundur, por një rol të tillë mundet ta ndërmerrte Greqia, jo vetëm si vend fqinj , por edhe për shkak të një numri të madh specialistësh, me mentalitet shumë pranë shqipëtarëve. Hyrja sa më e shpejtë e bankave greke në tregun shqipëtar, në lidhje të ngushtë me legalizimin, pra edhe me kontrollimin e emigrantëve shqiptar në Greqi, do të çonte pa shumë vështirësi në kontrollin indirekt të gjendjes në Shqipëri, pra edhe në mbrojtjen e interesave jetike të helenizmit.

Është një gabim thelbësor që të konsiderohet e quhet sistemi i këtyre firmave piramidal. Bëhet fjalë për një paranojë gazetareske. E vërteta është se fenomeni i firmave huadhënëse në Shqipëri funksionoi në bazë të “ligjeve të tregut”, të cilat duke iu përshtatur realitetit shqipëtar, nuk kishin asnjë lidhje me ato që ne njohim. Bëhet fjalë për një kthim mbrapsht të fenomenit të fajdeve, pasi kredimarrësit dhe dhënës i përqindjeve të larta ishte “banka”. Ndërkohë që në realitet fajdexhiu i vërtetë ishte depozituesi i thjeshtë, i cili natyrisht nuk merrte asnjë garanci për paratë e depozituara. Sistemi do të mundej të funksiononte dhe të arritej shndërrimi gradual i piramidave në “banka” normale dhe jo të ligjshme, pasi ato vepronin legalisht me një ulje graduale të përqindjeve dhe me dhënien e aksioneve në vend të përqindjeve.

Kush janë pasuritë e Alimuçës në Greqi

Pasuria e Vehbi Alimucës në Greqi duket se nuk është më vetëm hamendje por një gjë e sigurtë. Vetëm para tri vitesh Alimucajt dhe kompanisë së tij VEFA i janë sekuestruar në Greqi disa prej paurive të tij si një tokë bujqësore midis Patras dhe Pirgus, si dhe një vilë në Selanik. Pasuritë e tjera janë të paumundura të sekuestrohen për shkak se ato janë të regjstruara si “off shore” dhe është mjaft e vështirë identifikimi i tyre. Por tashmë besohet se një anije është ende pronë e tij, ndërsa po investigohet rreth një fabrike mjaft të madhe në Selanik, e cila eksporton në Shqipëri. Burime greke thonë se Alimucaj është në pritje të amnistisë fiskale, që mund të shpallet në Greqi për të formalizuar pasurinë e tij në këtë vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›