Për një vit, 900 emigrantë lënë Greqinë
Kriza ekonomike në Greqi ka bërë që pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë të kthen në atdhe. Brenda një harku kohor 1-vjeçar në vendin tonë janë kthyer rreth 900 emigrantë nga Greqia, pjesa më e madhe e të cilëve konsiderohen si shumë të varfër dhe pa profesione. Përfaqësuesja e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Evis Fico, thekson se më shumë se gjysma e tyre janë regjistruar në zyrat e punës si punëkërkues dhe një pjesë tjetër për të marrë kurse profesionale. “Prej korrikut e deri më sot janë regjistruar në këto sportele migracioni rreth 900 emigrantë të kthyer. Rreth 500 kanë kërkuar shërbime informimi për punësim, që do të thotë se kërkesa e tyre për punësim ka qenë më e lartë në sportelet e emigracionit, mandej për formim profesional”, - pohon Fico. Ky grup personash po shihet më me prioritet nga zyrat e punësimit. Në katërmujorin e parë të këtij viti u është siguruar punë 8 prej tyre dhe mbi 50 të tjerë janë regjistruar në kurse të formimit profesional që ofrohen falas në të gjitha rrethet e vendit. “Vetëm për 2011-ën, për 4-mujorin e parë janë punësuar 8 vetë dhe janë trajnuar 4 të tjerë. Në Shkodër ka pasur një sukses dhe vazhdon të ketë, janë formuar mbi 35-40 vetë dhe po ashtu në Lezhë. Në Tiranë 3 apo 4 vetë”, - thekson Fico. Nga korriku i vitit të shkuar në të gjitha zyrat e punës nëpër rrethe të ndryshme të vendit janë ngritur 36 sportele të veçanta për të pritur emigrantët e kthyer.