E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për të pestin vit me “Shkodra jazz festival”

26/05/2009  Është çelur dje edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar “Shkodra jazz festival”. Këtë vit festivali i është kushtuar kujtimit të muzikantit të madh shkodran, violinistit Rrok Jakaj. Për gjashtë ditë në Shkodër do të jenë të pranishëm muzikantë të njohur të skenës botërore të muzikës jazz. Kështu, rrugëve dhe skenave të qytetit, nën këmbët e “Rozafës” rikthehet pas sukseseve të edicioneve të mëparshme artisti italian Diego Boroti, i vlerësuar si njëri prej pjesëmarrësve më të rëndësishëm të panoramës jazz të shtetit fqinj. Rikthim i rëndësishëm është edhe ai i “The Dream Trio”, kompleksit të drejtuar nga virtuozi shqiptar Sokol Prekalori. Artdashësit shkodranë, pot dhe të gjithë ata që do të kenë fatin të ndodhen në Shkodër gjatë kësaj jave, do të kenë mundësinë të shijojnë muzikën jazz të ekzekutuar nga artistë të afirmuar të skenës botërore, si grupi jazz “Alberto Mandarini Quartet”, por edhe nga talentet e reja që po afirmohen në skenën ndërkombëtare, si pianisti e kompozitori shkodran Robert Bisha. Nuk do të mungojë as flamenkoja e Javier Galiana dhe Spice Berberechos, apo ritmet afro-braziliane të Roberto Taufic Hasbun dhe Simon Papa. Një dimension i rëndësishëm i festivalit do të jetë këtë vit përfshirja aktive e qytetit dhe qytetarëve të Shkodrës, të cilëve do t’u jepet mundësia të dialogojnë me festivalin përmes “talk-show”-t muzikor të organizuar çdo pasdite në rrugën historike “Kolë Idromeno”. Artistët e përfshirë në këtë projekt ambicioz do të vihen gjithashtu në shërbim të brezit të ri të muzikantëve shkodranë, që po formohen në shkollën e muzikës së qytetit, ku çdo ditë do të organizohen mësime kushtuar jazz-it. Ashtu si dhe në edicionet e kaluara, nuk do të mungojnë shfaqjet në teatrin “Migjeni”, ku do të zhvillohen dy koncerte, më 29 dhe 30 maj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›