E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli, Rama kërkon votën e emigrantëve

26/05/2009  Kreu i PS-së u rikthehet takimeve me shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë

“Ne kemi nevojë që ju të vini në Shqipëri dhe të votoni më 28 qershor”

“Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj, ne kemi nevojë që ju të vini në Shqipëri dhe të votoni më 28 qershor. Unë ju jap fjalën se është hera e fundit që për të shprehur vullnetin tuaj juve duhet të bëni rrugë për të shkuar në qytetin apo fshatin tuaj në Shqipëri. Herën tjetër ne do të garantojmë votën tuaj nga këtu ku jeni.” Kjo ishte thirrja që kreu i PS-së Edi Rama drejtoi për emigrantët shqiptarë gjatë një takimi në Veria të Greqisë. Kështu, në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit kryetari i selisë rozë nuk ka ngurruar të kërkojë votën e emigrantëve. Por këtë kundrejt premtive konkrete që kjo parti garanton me ardhjen e saj në pushtet. Për këtë arsye, duke folur për shërbime konsullore dhe ambasada në shërbim të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, Itali e gjetkë, Rama premtoi shërbime në ambasada sipas standardeve evropiane, ku dinjiteti i emigrantit nuk do të nëpërkëmbet më. Sipas tij, PS-ja do të garantojë një marrëveshje dypalëshe mes Greqisë, Italisë e Shqipërisë për njohjen e periudhës së sigurimeve për efekt pensioni. Ndërkohë, duke u ndalur te vota e emigrantëve, Rama vuri në dukje faktin se qeverisja e PS-së pas 28 qershorit do të miratojë në kuvendin e ri një projektligj për votën e emigrantëve. “Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi që duke u dhënë fund ecejakeve tuaja dhe radhëve të pafundme në kufij për të marrë një copë letër këtu dhe një copë letër atje. Duke i dhënë më në fund mundësinë çdokujt prej jush që të hyjë dhe të dalë nga Shqipëria sa herë të dojë”, - deklaroi Rama gjatë takimit me emigrantët. Sipas tij, socialistët do t’i japin mundësinë çdokujt që një sërë shërbimesh të merren në ambasadë. “Ju duhet të merrni leje prej punës dhe të bëni rrugë për të shkuar në Tiranë për të marrë një certifikatë ose për të aplikuar për një pasaportë. Qysh në vjeshtën e këtij viti ne do të fillojmë të bëjmë të mundur aplikimin për kartë identiteti apo për pasaportën biometrike në ambasadën tonë në Athinë dhe pa asnjë dyshim në konsullatën tonë në Selanik e në vende të tjera”, - u shpreh Rama. Për kreun e PS-së është e pakuptimtë që këto shërbime kaq të thjeshta, të cilat shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian i marrin në ambasada dhe konsullata të vendeve të tyre, ndërsa shqiptarët nuk i marrin dot. Duke iu referuar jetës së përditshme në vendin tonë, Rama lëshoi thirrjen e radhës për emigrantët: “Ejani të ngrihemi bashkë të gjithë më këmbë t’i rezistojmë dhe ta mundim varfërinë në atdheun tonë. Ejani të ngrihemi bashkë të gjithë më këmbë, t’i rezistojmë dhe ta mundim papunësinë në atdheun tonë. Më 28 qershor Shqipëria ka nevojë për secilin prej jush. Më 28 qershor nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të humbasë, prandaj ne ju presim krah nesh për të bërë të mundura gjëra që në asnjë mënyrë nuk janë të pamundura”, - bëri thirrje kreu i PS-së lidhur me votimet për zgjedhjet parlamentare.

Turi

Kryetari i PS-së Edi Rama ishte në Veriperëndim të Greqisë, aty ku ka një përqendrim të lartë shqiptarësh, që kanë emigruar dhe që jetojnë e punojnë në tokën greke. Rama është ndalur dhe në takime me autoritet greke, ku ka takuar kryetaren bashkisë së Volosit dhe prefektin e qarkut si dhe deputetë të rajonit të Volosit. Rama falënderoi autoritet atje për ndihmën që u japin shqiptarëve për integrimin e tyre në Greqi.

Premtimi

Në një takim me emigrantët në Trikala, Rama ka premtuar se PS-ja në qeverisje do të bëjë më shumë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe përmes një kanali të dytë të televizionit publik në gjuhën shqipe. “Do të hapim një kanal të dytë në televizionin publik shqiptar, ku një nga emisionet më të rëndësishme do të jetë ai që do t’i kushtohet mësimit të gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët shqiptarë në Greqi, Itali, Amerikë e kudo”, - tha ai.

Vizat

“4 vjet me parë Sali Berisha premtoi liberalizimin e vizave dhe ja ku jemi sot në fund të mandatit të tij dhe në prag të fundit të karrierës së tij politike, ky premtim ngelet i pambajtur. Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi që brenda vitit të ardhshëm ju dhe gjithë shqiptarët e shqiptaret do të dalin e të hyjnë lirisht në Bashkimin Europian”, - u shpreh kryesocialisti Rama gjatë takimeve të zhvilluara me emigrantët në Shqipëri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›