E Diel, 1 Nëntor 2026

Për t'i dhënë fund degjenerimit në shkolla

Sikur të pushonte jeta arsimore, bota do të binte në barbarizëm. (E. de Amiçis)

Skandale me skena dhune, pornografie dhe shpërndarje droge në shkollat shqiptrare janë bërë shpesh tema dite në media. Por, pas publikimit të një regjistrimi video, ku nxënës të një gjimnazi të kryeqytetit marrin pjesë në një akt pornografik, misioni i shkollës shqiptare është vënë në dyshim serioz. Dhe jo vetem kaq, por përshtypja tepër pozitive e shkollës se dikurshme po zëvendësohet krejtesisht nga imazhi i shkollës sot, si një vend degjenerimi moral dhe madje i rrezikshem. Kjo ka ardhur fillimisht si pasojë e degradimit të procesit të mësimdhënies, e motivimit financiar, qesharak të mesuesve në shkollat publike. Faktikisht, rasti në fjalë është vetëm pasqyrimi publik i gjendjes së shkollave në vendin tonë në këtë fundvit shkollor, dhe ndoshta maja e ajzbergut e degjenerimit që ka nisur të forcojë autoritetin ditë pas dite.
Liberalizimi në raport me rregullat e forta, të para viteve '90-të, u përjetua si një lloj çlirimi që shpejt degjeneroi në anarki totale, në zhvlerësimin total të autoritetit të shkollës dhe të figurës së mësuesit. Pamjet ku nxënës gjimnazi konsumojnë duhan dhe pije në lokalet afër shkollave, madje dhe në oborret e tyre, u bënë të zakonshme, përdorimi i drogës nga adoleshentët ka njohur një rritje të frikshme, siguria brenda institucioneve arsimore mbetet në nivele të ulta dhe raste dhune raportohen në mënyrë sistematike. Në shumë shkolla vihet në lojë dhe konsiderohet si i huaj një nxënës që mëson dhe është me rezultate të larta, ndërsa një adoleshent që nuk ka provuar duhanin apo alkoolin ndihet si "i huaj"në ambjentet ku presupozohet tu jepet edukata brezave të ardhshëm. Shumë prej të rinjve nuk maten në mes tyre nga niveli i dijeve, por nga markat e makinave luksoze që njohin apo celularët me "bluetooth'' që përdorin. Ndërkohë ka vite që në shkollat evropiane ka nisur të ndalohet mbajtja e celularëve nga fëmijet, për arsye se në shumë raste janë zbuluar rrjete të vërteta imoraliteti të instaluara në telefonat e adoleshentëve. Gjithashtu në vendet e Bashkimit Europian nën moshën 18 vjç dhe në SHBA nën 21, ndalohet përdorimi i pijeve alkolike dhe i duhanit për minorenët dhe dënohen me gjobë përdoruesit dhe ata që ua shesin këto produkte klientëve pa kontrolluar moshën e tyre në dokumetin e identifikimit.

Nëse punët ju shkojnë mirë rriteni dyfish buxhetin e arsimit, nëse ju shkojnë keq, rriteni katër herë më shumë. (Peter Senge)

Nuk ka dyshim se nxënësit e sotëm janë intelektualët e së ardhmes. Prandaj duhen bërë mirë llogaritë me brezat që nesër do të marrin në dorë fatin e vendit. Një moskokçarje e sotme mund të shkaktojë mijëra pendesa të nesërmen, dhe më e keqja është se ato pendesa nuk do të vlejnë.
Mjeranët, ngatërrestarët, sarhoshët, anarkistët, të droguarit, morfinomanët, të cilët konsiderohen sot si faqja e zezë e shoqërisë, janë fëmijët, edukimin e të cilëve e lamë pas dore dje. S'e di a jemi vënë të mendojmë ndonjëherë se çlloj njerëzish do të na i mbushin rrugët nesër si pasojë e indiferentizmit tonë të sotëm?
Kjo çështje ka nisur tashmë të therë plagën që tash ka kohë që qëndron e hapur në zemrën e shoqërisë sonë. Qeveria u zotua që në fillim, se arsimi do të zinte një rol të vçantë në programin e saj dhe e paraqiti atë si prioritar të punës së vet. Ky lajm nuk është se nuk na entuzjazmoi, madje për më tepër filluam të shpresonim për një fytyrë krejt të re të arsimit në Shqipëri. Përmbushja e premtimeve, dhënë në një moment jo shumë të besueshëm siç është fushata zgjedhore, lë shumë për të dëshiruar, por gjithsesi sipas parimit "më mirë vonë se kurrë”, ne presim, jo pa të drejtë që sistemi arsimor të hyjë në rrugë të mbarë. Them jo pa të drejtë duke pasur parasysh kërkesën e fuqishme që kanë nxënësit për shkollim dhe familjet për arsimimin e fëmijëve të tyre.

Arsimi është stoli për të lumturit dhe strehi për të pa lumturit. (Demokriti)

Si në çdo fakultet tjetër të jetës në këtë vend, edhe në fushën e arsimit nuk janë të pakët zërat "Shqipëria nuk bëhet nga shqiptarët"që përvç se nuk i miratoj janë shumë të bezdisshëm për veshët e njerëzve që duan të sjellin në jetë diçka pozitive për këtë vend. Këto zëra të kujtojnë të dorzuarit që në momentet e para të luftës.
Shqipëria bëhet vetëm nga shqiptarët dhe ata që pretendojnë të kundërtën të hapin rrugën e të lejojnë ata shqiptarë që dinë ta ndërtojnë Shqipërinë. Në këtë kuadër mendoj se ky vend zotëron një potencial të mjaftueshëm për ringritjen dhe gjallërimin e arsimit, e bashkë me të, lartësimin e gjithë shoqërisë. Mendoj se nuk është vetëm detyrë e qeverisë dhe as përgjegjësi ekskluzive e saj përmirësimi i gjendjes së shkollave tona dhe e nxënësve shqiptarë. Ky problem ka të bëjë me mbarë popullin. Që nga familja e deri tek politika; që nga shoqëria e deri tek kultura; që nga shkolla fillore e deri tek universiteti të gjithë janë përgjegjës për edukimin e brezave. Sa bukur këshillon një shkrimtar, dëshmitar i brezave shkatërrimtarë të fillimshekullit të 20: "nëse për veten s'mendon, as fëmijën tënd nuk po mëshiron.”
Rikthimi i dinjitetit dhe autoritetit në arsimimin e brezave, duhet të jetë misioni i shkollës publike në Shqipëri. Shkolla shqiptare ka nevojë për të ringjallur imazhin e saj si simbol i dijes dhe edukimit, si një vend i shenjtë që duhet respektuar dhe ku prindërit mund t'i çojnë te qetë dhe të sigurtë fëmijet e tyre. Më e keqja është se degjenerimi, tani së fundi ka gjetur përhapje edhe tek mësuesit. Imoaraliteti, figura e keqe dhe disa vese të tjera negative tashmë kanë pushtuar identitetin e stafit pedagogjik.

Arsimi fillon që në krahët e nënës. Çdo fjalë e thënë vendos një tullë në personalitetin e individit.(Hosea Ballov)
Bota e sotme, edhe pse e koklavitur me një mori dukurish e idesh, edhe pse e mbingarkuar me rryma dhe kultura të ndryshme, ajo mbart një sërë vlerash universale që janë të pranueshme nga të gjithë. Pikërisht mbi bazën e këtyre vlerave, pa rënë pre e kthetrave të filozofive prishëse e anarkiste, duke gjetur të përbashkëtat e kulturave pozitive duhet që arsimi të rigjejë vetveten. Madje rregullat nëpër shkolla duhen të jenë të qarta dhe të patundshme nga furtunat e ndryshme ideologjike, imorale dhe të papërshtatshme për frymën kombëtare e arsimore në Shqipëri. Vërshimi i pseudokulturave që promovojnë gjoja lirinë e shfrenuar të individit nuk duhen toleruar, së paku në institucionet arsimore. Në këtë prizëm, përvçse ndihet nevoja e një autoriteti të padiskutueshëm të rolit të mësuesit, nevojitet dhe një kontroll i rreptë edhe për vetë mësuesit të cilët për neglizhencë ose mungesë kualifikimi pedagogjik lejojnë situata të tilla.
Mbi të gjitha është i nevojshëm forcimi i statusit të arsimtarit, si një figurë e respektuar dhe e mbështetur fuqimisht nga shteti. Degjenerimi është ndër kufijtë maksimalë të sëmundjes, nëse do ta quanim të tillë gjendjen aktuale, dhe kurimi i tij, domosdo do të zgjasë. Por ilaçi më i mirë i çdo sëmundjeje është parandalimi i saj dhe mendoj se pikërisht këtu duhet të synojë qeveria dhe ministria e arsimit.
Duke përcaktuar një program kombëtar, së pari trajnim dhe kualifikim të arsimtarëve të rinj dhe më pas projektim i një programi të qartë veprimi për sa i përket edukimit në shkolla, besoj se do hidhen hapa të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes. Nuk duhet harruar se detyra e parë e shkollës është edukimi i nxënësit dhe më pas përgatitja shkencore e tij. Sepse shoqëria ka nevojë për të ditur që ndërtojnë dhe jo të djallëzuar që shkatërrojnë.
Nuk ka asnjë dyshim që rrënimi i shteteve dhe qytetërimeve të mëparshëm ka ardhur pikërisht nga degjenerimi i brezave të rinj. Prej njerëzve të papërgjegjshëm, prej shoqërisë së padisiplinuar dhe prej brezave të pamoralshëm nuk mund të presësh as zhvillim dhe as përparim, madje nuk mund të pretendosh të ruash as gjendjen aktuale. Prandaj detyra parësore, vlen për tu ritheksuar, jo vetëm e qeverisë dhe instancave shtetërore, e të gjithëve ne është kujdesi që të edukohen njerëz që t'i shërbejnë shoqërisë. Është një moto e vjetër, po aq edhe e pavjetëruar nga koha që thotë: "fillo ti i pari."Me veten, me familjen, me fëmijët, me nxënësit e tu…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›