E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenduria më ktheu në vegjëli

Ata janë tre që do të ngjiten në skenë. Mes tyre gjendet edhe Luçia italiane, e cila natën e dytë do të interpretojë një personazh të përshtatur më shumë karakterit të saj

Dashuria e tepërt dhe e parealizuar, bëri që ajo të çmendej, por qe një lloj çmendurie që e kthente prapa në kohë. E ktheu pikërisht në fëmijëri, periudhë që kushdo është i lumtur, ku vetë ajo ëndërronte për princin e kaltër. Ky është versioni i ri Luçias së Lamermurit, që do të servirë këngëtarja lirike nga Italia, Françeska Milareli. Solistja është një ndër tre Luçiat fatkeqe që do të çmendet nga dhimbja e humbjes së dashurisë. Një debutim me shumë peshë për artisten Françeska Mikareli, edhe pse eksperiencat e saj në arenën e muzikës klasike nuk janë të pakta. “Ndihet e lumtur që ky debutim ndodh në skenën e madhe të Teatrit të Operës e Baletit në Tiranë. Për më tepër është një shkëmbim kulturor interesant”, shprehet Mikareli. Por nga ana tjetër, ajo nuk rri dot pa komentuar faktin se mënyra e organizimit të punës lë shumë për të dëshiruar, duke e krahasuar atë me Italinë e Jugut. Për Françeskën, ky nuk është i pari rol i madh dhe i rëndësishëm në karrierën e saj si soprano, pasi ngjitjet në skena të rëndësishme operistike në Itali apo edhe jashtë saj nuk i mungojnë. Por mes tyre tri janë dashuritë e saj më të mëdha: Suzana tek opera “Dasma e Figaros”, Vileta tek “Traviata”, si dhe debutimi si Luçia, një personazh me të cilin përballet për herë të parë. Jo më kot i është besuar një nga rolet më të vështira të bel-kantos, siç është personazhi i Luçias, pasi nga kritika ajo cilësohet si një ndër rolet më të vështira. Por solistes i pëlqejnë sfidat: “Nuk mund të them se e kam të lehtë të debutoj personazhin e Luçias, pasi të gjithë e dimë se ky rol është një sprovë e vështirë vokale, është testi më adapt për një bel-kanto të shkëlqyer, por gjithsesi, falë vetëkontrollit, besoj se do t’ia dal mbanë”, thotë ajo. Mes çmendurisë njerëzore dhe vokalit që arrin kufijtë e gurmazit, solistja rrëfen se e ka përshtatur personazhin më pranë karakterit të saj. Në qoftë se Donizeti përshkruan një Luçia që shkon gjer në vetëvrasje, versioni i sjellë nga solistja italiane ka të bëjë me një personazh të fortë. Luçia është një grua e dashuruar pas Edgarit, por Enriko, vëllai i saj e detyron të martohet me Arturon. Kjo zgjedhje nuk pranohet nga vajza ëndërrimtare, ndaj kësisoj ajo çmendet. Kjo është Lucia e dobët, që ndryshon nga karakteri i Luçias që interpretohet nga Françeska Mikareli. Versioni i interpretuar prej solistes italiane ngërthen një personazh të fortë që dashuron me shpirt. “Në momentin që ëndrrat e saj thyhen, ajo parapëlqen të struket te kujtimet e fëmijërisë. Unë do ta konsideroja si një çmenduri “të ëmbël”, që e kthen në lodrat dhe përrallat e vegjëlisë, apo tek imazhi i princit të kaltër”, shpjegon Mikareli. Kështu, në guaskën e fëmijërisë ajo thyen njëherë e mirë raportet me botën që e rrethon, duke e kthyer këtë të fundit në një dukuri të huaj. Debutimi i solistes në operën premierë “Luçia Di Lamermur” e ka futur tek ata personazhe që do t’i kujtojë me nostalgji, pa harruar sakrificat sa të del gurmazi nga teknika e vështirë e bel-kantos. Por ajo ia ka dalë mbanë. Në fakt, përkushtimin dhe dëshirën për të ecur përpara ajo e kupton më shumë se kush tjetër. E di se sa shumë punë duhet për të arritur në nivelet e duhura. “Diku kam qenë pjesë e korit të “La Skalës”. Me kalimin e kohës, kur perfeksionova teknikën, pata guximin dhe tentova si soliste dhe ja ku jam”, rrëfen Françeska.  Violina e më pas kantojaPasi mbaroi studimet për violinë, mendoi se ishte momenti i duhur në vitin 2002 dhe se kishte ardhur koha të studionte për kanto, duke qenë se vokali i saj kishte arritur pjekjen e duhur. Kështu, një vit më vonë Françeska Mikareli merr një tjetër diplomë, atë për kanto. Rruga e saj e formimit u perfeksionua në teatrin “La Skala”, ku Mikareli ishte pjesë e korit, në disa nga prodhimet pranë këtij teatri. Aty përfitoi teknikën, e cila do të ishte thelbësore për të ardhmen e saj. Këtu filluan edhe audicionet e njëpasnjëshme, ku siguria në vetvete rezultoi fatsjellëse për artisten. Si fituese e çmimit për talentet e reja në konkursin ndërkombëtar “Debut in Meran”, ajo e gjeti veten duke interpretuar në role të ndryshme në Itali dhe shumë shtete të tjera. Një tjetër pikë që duhet theksuar, është edhe shansi i madh që ka pasur Mikareli për të punuar me emra të mëdhenj në arenën e muzikës klasike, siç janë: Riçardo Muti, Thomas Koncz, Paolo Arrivabeni, Julian Lombana, Daniele Agiman, Maurizio Diniciaçi etj. Ndërkaq, ajo ka realizuar edhe trajnime speciale për aktrim nën kujdesin e Stefano Anselmit dhe William Matteuzzi. Edhe pse nuk ka shumë vite karrierë në kurriz, kurrikula e saj përmban disa role me peshë, siç është Rozina tek “Berberi i Seviljes”, Serafinën në operën “Zilja” nga Donizeti, rolin e Ritës tek “L’elisir d’amour” etj. Aktualisht është duke mbaruar studimet për regji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›