Protesta, Godo: PS keqpërdori flamurin
Kryetari i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo ka cilësuar protestën e opozitës jashtë çdo morali. “Ishte një garë ndërmjet këtyre të opozitës se kush ka më tepër forcë, kush do të mbledhë më tepër njerëz. Gjithkush e pa se kjo nuk kishte të bënte me Gërdecin. Ishte një keqpërdorim i viktimave të Gërdecit. Pashë edhe një keqpërdorim të flamurit kombëtar, pasi e bënë në formën e një pankarte”, deklaroi Godo. Ai në të njëjtën kohë theksoi se “opozita ka llogaritë e veta me Gërdecin e kjo lidhet Delijorgjin”. “Unë them se ka dokumente të mjafta për të provuar se liderët e opozitës kanë pasur lidhje të fuqishme me këtë Delijorgjin, deri në ditën e fundit”, tha Godo për TV Klan. Gjithashtu, kreu i asamblesë së PR-së ka pretendime dhe në lidhje me hetimin e kryer nga ana e Prokurorisë për çështjen e Gërdecit. “Them se Prokuroria e nisi me hapin e gabuar që në fillim. Atëherë u tha me bujë se Mediu kishte mënjanuar shtabin ushtarak dhe kishte bërë të gjitha vetë me njerëzit e tij. Ndërsa tani në akuzë thotë se ka bashkëpunuar me ushtarakët. Ka kontradiksione krejt të hapura dhe po të ecet kështu do të thotë se nuk do të bëhet drejtësi e vërtetë me Gërdecin, të paktën për sa i takon anës së Prokurorisë”, deklaroi Godo.