E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Gërdeci, jo ditë dashurie

 

Aristir Lumezi

“Lëvizja Socialiste për Integrim dhe opozita e vërtetë shprehu një mesazh të fuqishëm ndaj qeverisë Berisha”. Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi, gjatë një konference për shtyp, tha dje se krimi qeveritar i Gërdecit dhe viktimat e tij nuk meritonin tone funebre. “Dita e djeshme nuk meritonte të ishte një ditë e heshtur, nuk meritonte të ishte një ditë dashurie, por meritonte të ishte një ditë proteste e zhurmshme me zë të lartë, natyrisht një protestë qytetare si ajo që organizuam ne, kundër një qeverie e cila është e zhytur deri në fyt”, tha Xhufi. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se mitingu i kësaj partie, bashkë me grupimin e saj, protestuan kundër qeverisë për një krim shtetëror. “Dje populli i majtë, anëtarë dhe simpatizantë të LSI të opozitës së vërtetë, i shprehën një mesazh të fuqishëm qeverisë së Berishës. E cila është një qeveri që si rrallë ndonjë qeveri tjetër shqiptare ka vrarë qytetarët e vet, ka varfëruar qytetarët e vet dhe ia ka shitur interesat e vendit Fazlliçëve të të gjithë botës”, tha Xhufi. Sipas tij, “Gërdeci në gjykimin e Lëvizjen Socialiste për Integrim është guri i provës i politikës, nuk është absolutisht një fakt, që qëndron përtej politikës. Me qëndrimin ndaj krimit shtetëror të Gërdecit matet dhe integriteti i çdo force politike”. “Gërdeci nuk përballohet dhe nuk mund të përballohet as me politikën e vjetër, as me politikën e re të dashurisë. Por përballohet vetëm me politikën e rreptë të ligjit, kjo është pikërisht dhe arsyeja që ne gjykojmë se dita e djeshme ka qenë dhe një ditë mbështetjeje morale për organet e Prokurorisë së shtetit, të angazhuara me hetimin e çështjes së Gërdecit”, tha Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›