E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi fikson 14 gola e mendon për merkaton

Ka shënuar 14 gola, po aq sa numri që ka në fanellë.

Jetmir Halilaj

Hamdi Salihi ka qenë protagonist këtë sezon në Bundesligën austriake dhe është sulmuesi i Kombëtares që ka shënuar më tepër këtë sezon. Të shtunën ai do të luajë ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Riedi do të përballet me Rapidin. Bomberi shkodran është i kënaqur me rendimentin e tij, por edhe ambicioz në të njëjtën kohë.
Të shtunën luhet java e fundit e kampionatit austriak. A jeni i kënaqur me rendimentin tuaj këtë sezon?
Po, jam i kënaqur. Kampionati austriak është i një niveli të mirë dhe të shënosh 12 gola gjatë një sezoni nuk është pak. Sigurisht që ka edhe më mirë se kaq, por unë e thashë që në fillim të sezonit se qëllimi im ishte të shënoja më shumë se 10 gola dhe këtë objektiv e kam arritur.
Këtë sezon, bashkë me dy golat që keni realizuar në UEFA keni shënuar në total 14 gola, aq sa edhe numri që mbani në fanellë...
Eh, rastësi e bukur kjo. Nuk e kisha menduar asnjëherë, por më vjen mirë, sepse ju e dini që unë jam i fiksuar me numrin 14. Por meqenëse qenka kështu, unë do të ndërroj fanellë sezonin e ardhshëm dhe do të marr ndonjë numër 27 apo 28 që të shënoj po aq gola...(qesh).
Sa është diferenca e golave mes teje dhe kryegolashënuesit të kampionatit austriak?
Më shumë nga të gjithë këtu ka shënuar Zikler, i cili ka shënuar 15 gola, pra diferenca është tre.
A u keni kërkuar shokëve të skuadrës që në ndeshjen e fundit kundër Rapidit t’ju ndihmojnë që të shënoni sa më shumë gola?
Unë vetë nuk u kam kërkuar asgjë, por ata më kanë ngacmuar dje, dhe sot në stërvitje më premtuan se do të bënin të pamundurën që të më ndihmonin të shënoja sa më shumë. Ne luajmë kundër Rapidit, i cili u shpall kampion që javën e kaluar. Ndërkaq, edhe për ne nuk ka rëndësi ndeshja, sepse sido që të përfundojë ajo, mbetemi në vendin e shtatë. Kështu që do ta provojmë njëherë. Shpresoj të më ecë se do të ishte një surprizë e bukur.
Rapidi që ju kërkoi vjet është u shpall kampion. A jeni penduar për zgjedhjen që bëtë një vit e gjysmë më parë?
Absolutisht jo. Atëherë në të tilla rrethana u ndodha dhe mendoj se bëra zgjedhjen e duhur. Përveç kësaj, gjërat më kanë ecur mirë dhe nuk kam pse të ankohem. Sigurisht që kur isha duke i parë në televizor tek festonin pata një ndjesi të çuditshme, sepse po mendoja me vete se mund të kisha qenë bashkë me ata duke festuar, por kjo nuk do të thotë se jam penduar që zgjodha Riedin.
Do të vazhdoni të qëndroni edhe sezonin e ardhshëm aty, apo keni vendosur të hidhni një tjetër hap të madh në karrierën tuaj?
Synimi im është që të luaj në një klub të madh në arenën ndërkombëtare dhe do të përpiqem me të gjitha forcat që ta realizoj këtë ëndërr. Megjithatë nuk do të nxitohem, pasi nuk dua të shkoj në një ekip shumë të njohur, por të qëndroj rezervë. Ofertat nuk kanë munguar, kështu që unë do të mendohem mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›