Përcillet për në banesën e fundit mjeku i vrarë
Përcillet për në banesën e fundit mjeku i vrarë në ambientet e brendshme të spitalit të Durrësit, në emër të hakmarrjes. Një prerje në besë nga Lorja, ndërsa krimi ka qenë i paralajmëruar, muaj më parë atëherë kur situata u rëndua dhe u mbyll me vetëhelmimin e gruas së autorit. Nga hetimet e para rezulton se Ali Lorja dhe Fatmir Thaçi kishin pirë kafen e sqarimit, pavarësisht se nga situata e krijuar prej fjalëve u nda nga jeta një grua. Kafja i ka dhënë siguri mjekut Thaçi që të harrojë kërcënimet e vazhdueshme të autorit Ali Lorja dhe t‘i kthehet ritmit normal të punës dhe jetës së përditshme. Por burimet spitalore të Durrësit të cilave iu referua dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, bëjnë të ditur se Lorja e kishte parapërgatitur krimin. Dy ditë para vrasjes ai kishte shkuar gjoja për vizitë mjekësore te Thaçi, duke përgatitur kështu terrenin për atë që do të ndodhte mëngjesin e së premtes, mes mjekësh e pacientësh në një dhomë vizitash në spitalin e Durrësit. Një krim i paralajmëruar nga një individ që ishte përgatitur për ta kryer atë dhe pranuar dënimin i qetë për hakmarrjen e çuar deri në fund. Ndërkohë, ceremonia mortore e mjekut të njohur, Fatmir Thaçi, dhe homazhet e bëra në hollin e administratës spitalore u ndoqën nga qindra bluza të bardha dhe mijëra të afërm, të njohur të mjekut dhe qytetarë durrsakë, të cilët në heshtje dhe mes lotësh përcollën dhembjen e thellë për ngjarjen e rëndë që gjakosi vendin ku mbrohet jeta. Homazhe pranë trupit të të ndjerit, baba i dy vajzave, bënë dhe drejtuesit e pushtetit vendor dhe qendror në Durrës, si dhe deputetë e njerëz të politikës. Edhe mjekët kirurgë që çdo ditë përballen me gjakun dhe vdekjen janë ndier të pafuqishëm për të përballuar humbjen e kolegut Fatmir Thaçi. Prof. dr. Besim Elezi, shef i kirurgjisë në spitalin e Durrësit pas ndarjes së fundit u shpreh: "Mjekët janë mesazherë të Zotit. Janë mbrojtës të jetës, por dora kriminale godet dhe mes tyre. Nuk gjej fjalë të them për atë që ndodhi brenda në spital. Është një krim i ulët që merr jetën e një bluze të bardhë, u merr jetën atyre që çdo ditë luftojnë për ta mbrojtur atë". Shefi i radiologjisë në spitalin e Durrësit, Fatmir Thaçi, u vra mëngjesin e së premtes ndërsa po punonte. Nëndrejtori i spitalit të Durrësit, mjeku Taulant Baku, thotë se një krim brenda në spital, pavarësisht motiveve që mund të ketë, i kalon caqet e njerëzores: "Asnjë vrasje, asnjë krim nuk duhet të ndodhë në spital. Është fatale. Mjeku ka qenë në dhomën e punës me një paciente gjysmë të zhveshur, duke e vizituar, kur ai ka hyrë brenda dhe ka shkrepur armën mbi të". Rreth 700 punonjës të spitalit të Durrësit përcollën ditën e djeshme për në banesën e fundit me lot në sy mjekun Thaçi, duke kërkuar nga drejtësia dënimin maksimal për autorin e ngjarjes. Ky i fundit është baba i dy djemve që duan kujdes dhe që pas humbjes së nënës, nuk do të kenë as babanë. Përveç mjekut dhe gruas së tij, ata janë viktimat reale të veprimeve me paramendim të babait.