E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia ka nisur prej javësh hetimin për sekserët e kuponëve

Kuponët për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike mungojnë në postën e qytetit të Fierit dhe shiten në treg të zi me çmim më të shtrenjtë. Ndërkohë, nga ana tjetër, organet e policisë kanë nisur prej javësh hetimet për sekserët e kuponëve. Prej gjashtë ditësh në filialin e Postës Shqiptare të Fierit mungojnë kuponët për kartat e identitetit, si dhe pasaportat biometrike. Ndërsa sportelistët e këtij filiali të shpjegojnë se kanë bërë kërkesë për kuponë, të interesuarit për këta të fundit akuzojnë se ato po shiten në treg të zi nën dorë, me një çmim më të shtrenjtë. Personave të shumtë që vijnë madje dhe prej zonave rurale të Fierit u është dashur që për disa ditë me radhë të udhëtojnë nga vendet ku banojnë me qëllim sigurimin e kuponëve. Kjo kategori shprehet se nuk ka gjetur kuponë edhe pse e kanë të dytën apo të tretën herë që interesohen. Mungesën e kuponëve e pranojnë zyrtarisht edhe tre sportelistet e filialit të Postës Shqiptare në Fier. Sportelistet nga përtej xhamit të vendit të punës shprehen se rezervat e fundit të kuponëve kanë mbaruar fundjavën e shkuar. "Ne e kemi bërë prezent mungesën e kuponëve pranë drejtorisë sonë, dhe na është siguruar që shumë shpejt do të mbërrijnë", shprehet një prej sportelisteve.

Por, për ironi të fatit përballë sportelisteve që pranojnë mungesën e kuponëve shumë qytetarë kanë akuzuar se i kanë siguruar ato në treg të zi, por me çmim më të lartë. "Jam interesuar këtu te posta tri herë dhe nuk ka më kanë dhënë. Ndërkohë që jo shumë larg prej këtej nën dorë e bleva kuponin për pasaportë nga 6 mijë lekë të reja, 7200 lekë, pra 1200 lekë më shumë. Kurse kuponin e kartës së identitetit e bleva 1700 lekë nga 1200 lekë që kushton në postë", ka thënë Njazi Islami, banor i qytetit të Fierit. "Unë e bleva kuponin për pasaportë 7500 lekë, pasi më duhej. Në treg të zi këtu afër derës së Postës Shqiptare e bleva", thotë Dallëndyshe Isufaj. Deklarata e personave që e kanë blerë kuponin në treg të zi është kryer përballë sportelisteve, të cilat edhe pse janë përballur me këto akuza janë përpjekur për t‘i hedhur poshtë ato. Nën dorë kuponët për pasaporta janë shitur deri dhe 8000 lekë të reja, kurse ato për karta identiteti deri dhe 2000 lekë të reja.

Po ashtu, në gjendjet civile të Fierit të deklarojnë se po shpërndajnë certifikata me fotografi për shkakun e vetëm se mungojnë kuponët e kartave. Arta Prifti, përgjegjësja e gjendjeve civile për qytetin e Fierit shprehet se ka lejuar dhënien e certifikatave vetëm për studentët dhe për rastet urgjente. Nga ana tjetër, pasditen e së shtunës, filiali i Postës Shqiptare të Fierit, në një deklaratë publike, ka njoftuar mbërritjen e kontingjentit të kuponëve për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Ndërkohë që në lidhje me shitjen e kuponëve në treg të zi seksioni i krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së qarkut ka nisur hetim për të goditur të gjithë ata persona që abuzojnë me shitjen e këtyre kuponëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›